Ka gjëra që duhet t’i shmangni për t’i diskutuar në vendet punës, sepse kjo mund të ndikojë në mënyrën sesi kolegët tuaj mendojnë për ju dhe aftësinë tuaj për të bërë punën, pavarësisht se çfarë temash po bëhen. Bezdia që krijohet në vendet e punës për shkak të këtyre bisedave mund të ndikojë në funksionimin e punës, madje edhe në mënyrën sesi punëdhënësi duhet që ta trajtojë atë çështje dhe askush nuk dëshiron që të jetë shkaktari i gjendjeve të pakëndshme.
Feja
Feja është diçka që diskutohet kudo e po ashtu diçka e cila i preokupon njerëzit gjatë gjithë kohës. Por në vendet e punës kjo temë duhet të “preket” lehtë. Besimi i dikujt është një gjë personale, e ka shumë njerëz të cilët janë të ndjeshëm në lidhje me të. Kjo nuk do të thotë që ta fshehni besimin tuaj, sepse të gjithë kanë një formë besimi dhe kjo është krejtësisht normale, por një gjë duhet të kuptohet: jo të gjithë adhurojnë dhe duhet të adhurojnë në të njëjtën mënyrë.
Vendet e punës nuk janë mjedise ku duhet të flisni për fenë me ton të zjarrtë. Mbajeni për vete ndonjë mendim negativ për besimet e të tjerëve! E as mos këmbëngulni që t’i ndryshoni bindjet e kolegëve të punës!
Politika
Politika është gjithashtu njëra ndër temat më të paqëndrueshme, sepse arrinë që ta ndryshojë mënyrën e bisedës dhe ndërrimin e disponimit te bashkëbiseduesit. Nuk është e nevojshme që t’i prishni marrëdhëniet me ata të cilët keni krijuar raporte të mira për çështje politike, të cilat në fund të fundit mund edhe të mos i kuptoni edhe aq sa duhet.
Nuk është e nevojshme që t’jua impononi të tjerët pëlqimet dhe bindjet tuaj politike. Secila parti ka plan programet e saj me të cilat qytetarët pajtohen ose jo.
Problemet me bashkëshortin/en, fëmijët, partnerin/en
Diskutimi i problemeve që mund t’i keni në familje, mund t’i bëjë kolegët, madje edhe shefin të mendojë se ato mund të ndikojnë në mënyrën sesi i kryeni detyrat në punë. Ju mendoni ndryshe, por ata jo.
E nëse këtë e bëjnë mbikëqyrësit, punonjësit e tjerë mund ta shohin këtë si një pikë të dobët që ata madje mund edhe ta shfrytëzojnë. Në këtë rast autoriteti fillon e zbehet. Përveç kësaj, theksimi i problemeve tuaja mund t’ju bëjë që të jeni në qendër të thashethemeve në vendet e punës.
Aspiratat tuaja për karrierën
Në fakt nuk ka asgjë të keqe nëse punën e tanishme e shihni si një mundësi për gjëra më të mëdha në të ardhmen, por mbajini këto mendime dhe ndjenja për vete! Të flisni për ambiciet tuaja, mund ta bëjë shefin që të dyshojë në besnikërinë tuaj si dhe t’i bëjë kolegët t’ju urrejnë.
E nëse jeni të interesuar që të avanconi në atë organizatë, përpiquni ta bëni punën në mënyrën më të mirë të mundshme, duke e lajmëruar shefin që keni synime për radhë më të larta në atë kompani, pastaj puna juaj do të flasë vetë.
Problemet shëndetësore
Ani pse në çështjet shëndetësore nuk ka asgjë për t’u turpëruar, mos i diskutoni jashtë mase në punë! Mund të zgjidhni të mos flisni fare për to, ose të jeni shumë të hapur, por pavarësisht se çfarë vendosni, mos e ndani edhe detajin e fundit të shëndetit!
Para se të flisni për problemet shëndetësore fizike apo mendore mendoni që kolegët tuaj që nga ai moment e dinë që jeni të sëmurë dhe mbase do të fillojnë ta vënë në dyshim aftësinë tuaj për punë, ashtu si edhe për problemet familjare. /Akademi Pune/KP