​Rama: 29 ditë para afatit të bërë publik realizuam 500 mijë vaksinime

- in Shqipëri

Shqipëria ka realizuar vaksinimin e gjysmë milionë qytetarëve të saj kundër koronavirusit.

Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se 29 ditë para afatit të bërë publik tashmë janë vaksinuar 500 mijë qytetarë dhe se do të vazhdojnë drejt objektivit tjetër prej një milion.

“U krye. *29 ditë para afatit të bërë publik realizuam objektivin e 1/2 milionë vaksinimeve. Vazhdojmë pa u ndalur drejt objektivit 1 milion tani”, shkruan Rama.

Shqipëria nisi në datë 11 Janar 2021 fushatën e vaksinimit antiCOVID “Shqipëria Buzëqesh”. Qendra e parë e vaksinimit antiCOVID u hap në Tiranë, në stadiumin ‘Air Albania’. Dy qendrat e tjera të vaksinimit antiCOVID janë në Vlorë dhe Shkodër, ndërsa vijojnë të krijohen pole vaksinimi në mënyrë kapilare në të gjithë vendin.

Sipas planit kombëtar të vaksinimit, të parët që kanë nisur vaksinimin janë ekipet mjekësore dhe të moshuarit në institucionet e kujdesit afatgjatë, ndërsa do të vijohet me grupet e tjera të riskut, sipas fazave të planit të vaksinimit.

Shqipëria ka siguruar 500 mijë dozat e para të vaksinës nga marrëveshja direkte me kompaninë Pfizer, si dhe ka kontratë me COVAX, ku ka siguruar 1.114.000 doza vaksine, për të cilat ka parapaguar 3.9 milionë dollarë. /KP