Bashkimi Europian duhet të përgatitet për momente të vështira me Rusinë, autoritetet e të cilës kanë zgjedhur qëllimisht për të rritur tensionet me Perëndimin, theksoi sot kreu i diplomacisë europiane, Josep Borrell.
“Mendoj se duhet të përgatitemi për një periudhë të gjatë dhe të vështirë në marrëdhëniet tona me Rusinë”, deklaroi ai para Parlamentit Europian, i mbledhur në seancë plenare në Bruksel.
“Marrëdhëniet tona me Rusinë vazhdojnë të përkeqësohen dhe janë në nivelin më të ulët. Fatkeqësisht, ne nuk mund të përjashtojmë që kjo tendencë negative të vazhdojë dhe të arrihë në nivele përkeqësimi akoma më të rrezikshme”, shtoi ai, raporton ATSh.
“Autoritetet ruse duket se zgjedhin në mënyrë të qëllimshme për të rritur tensionet me Perëndimin”, shprehu ai me keqardhje.
Për Josep Borrell, vendosja ushtarake në kufijtë me Ukrainën, fati i kundërshtarit Alexeï Navalny dhe kriza diplomatike me Republikën Çeke janë tre arsye shqetësimi.
Duke i bërë thirrje Rusisë të ndërpresë provokimet e saj, ai vuri në dukje se për momentin, ajo nuk ka treguar vullnetin më të vogël për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë, as për të pranuar integritetin e saj territorial./KP