Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka bërë të ditur se sonte në Tiranë kanë arritur edhe dërgesa tjerë prej 8190 vaksinash Pfizer.
Ai në një postim në Facebook ka shkruar se vaksinimi në gjithë vendin po vazhdon me ritëm të lartë.
Prej 11 janarit, kur Shqipëria nisi fushatën e vaksinimit, qeveria ka mundur të importojë 90 mijë doza vaksinash kundër COVID-19.
Shqipëria ka kontratë me kompaninë amerikane Pfizer, për sigurimin e mbi 500.000 dozave të vaksinës. Aktualisht, Tirana zyrtare po ashtu ka siguruar afër 40.000 doza të vaksinës së kompanisë AstraZeneca.
Në Shqipëri disa ditë më parë kanë mbërritur 10 mijë doza të vaksinës ruse “Sputnik V” kundër sëmundjes COVID-19.
Ndryshe, nga deklaratat fillestare, kur Rama tha se Shqipëria nuk do të pranojë vaksina ruse dhe kineze, disa ditë më parë, qeveria i hapi rrugë marrjes së vaksinave nga Rusia dhe Kina.
Që nga shpërthimi i pandemisë me koronavirus në Shqipëri janë konfirmuar 130.606 raste, prej tyre 106.465 janë shëruar, 21.762 janë aktive, ndërsa betejën me sëmundjen e rrezikshme e kanë humbur 2.379 pacientë.
Në 24 orët e fundit ka ndërruar jetë një person i prekur me koronavirus, ndërsa janë shëruar 737 persona.
Për të nisur vaksinimin masiv të popullsisë, qeveria ka deklaruar se do të shtojë kapacitetet për të mundësuar deri në 10-15 mijë vaksinime në ditë./KP