Rummenigge: Ende nuk e kemi zgjedhur pasardhësin e Flick

- in Sport

Kampioni i Bundesligas do të mbetet pa trajner në fund të këtij sezoni, dhe raportohet se është në kërkim të zëvendësuesit të Hansi Flick.

Presidenti i Bayern Munichut Karl-Heinz Rummenigge ka treguar se ende nuk është marrë ndonjë vendim se kë e dëshirojnë si trajnerin e radhës, ku sipas shumë spekulimeve, trajneri i Liverpoolit Jurgen Klopp është në krye të listës së “Bavarezëve”, përcjell KosovaPress.

Klopp, i cili është në krye të kampionit të Premier Ligës, së fundmi ka thënë që nuk është i impresionuar me krerët e “Të Kuqve”, me vendimin për t’iu bashkuar Super Ligës.

Ka kohë që është duke u spekuluar e ardhmja e Klopp tek Liverpooli, pas këtij sezoni jo të mirë, pavarësisht që ka kontratë deri në vitin 2024, dhe tani mund të shihet si zëvendësuesi ideal i Hansi Flick, i cili veçse ka treguar se do të largohet në fund të këtij sezoni nga Bayerni.

I pyetur rreth mundësisë që Klopp të jetë trajneri i radhës, Rummenigge tregoi që ende nuk është zgjedhur pasuesi i Hansi Flick.

“Ne ende nuk e kemi zgjedhur pasardhësin e Flick, fillimisht duhet ta fitojmë kampionatin, dhe më pas do të vendosim se çfarë do të bëjmë. Sigurisht, ai (Klopp) së fundmi nuk ka folur mirë për krerët e tij”, tha Rummenigge.

Siç është njoftuar para disa ditëve, Hansi Flick do të largohet nga posti i trajnerit tek “Bavarezët” në fund të këtij sezoni, dhe raportohet se do ta marrë detyrën e trajnerit të Kombëtares së Gjermanisë.

Bayerni thuhet se ka filluar bisedimet me trajnerin e RB Leipzig Julian Nagelsmann, por ky i fundit ka thënë se nuk e ka në plan të largohet nga skuadra e tij, ndërsa në listën e të dëshiruarve tek kampioni gjerman është edhe trajneri i Liverpoolit Jurgen Klopp./KP