Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Leart Paqarada e ka braktisur përkohësisht kombëtaren dhe këtë e ka bërë për shkak të injorimit që ia ka bërë trajneri Bernard Challandes.
Këtë njoftim Paqarada e ka bërë përmes një shkrimi në profilin e tij në Facebook ku ka deklaruar se ndihet i mbështetur për muri dhe i degraduar nga trajneri i kombëtares dhe se kjo e ka detyruar atë që të mos jetë në dispozicion derisa ai është në krye të ekipit, përcjellë KosovaPress
“I mbështetur për muri nga degradimi që më është bërë në vazhdimësi nga trajneri, mos angazhimi në lojë prej vitesh përkundër ftesave për të luajtur mos respekti dhe injorimi nga ai më detyrojnë që përkohësisht të largohem nga dispozicioni për të luajtur në ekipin që udhëhiqet nga Bernard Challandes.”, ka shkruar fillimisht Paqarada.
Më tutje Paqarada ka sqaruar se e kishte zgjedhur Kosovën krahas ftesës së Shqipërisë dhe grup-moshave më të reja të Gjermanisë dhe se këtë do ta bënte përsëri por jo nën drejtimin e Challandes.
“Përzgjedhjen për të luajtur për Kosovën krahas Shqipërisë apo në përfaqësueset e grup-moshave të Gjermanisë e ka bërë pa asnjë mëdyshje, gjë të cilën do ta bëja përsëri, mirëpo jo nën drejtimin e Bernard Challandes. Përkundër respektit tim maksimal ndaj vendimeve të trajnerit, kam ardhur në pikën që ta mbroj dinjitetin tim nga ai.”, ka sqaruar Paqarada.
“Si bir i Kosovës, jam i gatshëm të vazhdoj të kontribuoj duke luajtur për kombëtaren nga momenti kur të vij trajneri i ri.”, ka thënë në fund Leart Paqarada./KP