​Ademi: Nuk duam probleme, thjesht duam të luajmë futboll

- in Sport

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës Agim Ademi ka folur para ndeshjes së Kosovës kundër Spanjës për gazetën spanjolle “Lesportiu”.

Ademi u përgjigj në disa pyetje, ku foli edhe rreth situatës me shtetin spanjoll, me problemet dhe skandalet e shumta që kanë ndodhur para ndeshjes së sotme, përcjell KosovaPress.

Fillimisht, presidenti Ademi u pyet se çfarë do të thotë për Kosovën që të luftojë për kualifikim në Botëror.

“Është sfidë për t’ia dëshmuar vetes se mund të garojmë kundër pjesës tjetër të planetit dhe se futbolli ynë mund të përparojë tani me një ekip të ri. Kjo është shumë e rëndësishme për ne si institucion, por edhe për të gjithë njerëzit tanë”, u përgjigj Ademi.

Më pastaj, Ademi u pyet rreth situatës momentale me shtetin e Spanjës, respektivisht që nuk e njeh Kosovën.

“Si një federatë futbolli ne nuk mund të përfshihemi në politikë, ne e kemi njohjen e FIFA-s dhe UEFA-s dhe thjesht duam të mendojmë për të luajtur futboll. Ne nuk presim ndonjë problem përtej kësaj, ekziston një protokoll i qartë i ndeshjeve ndërkombëtare. E vërteta është se ne nuk i kushtojmë shumë vëmendje asaj që është përtej futbollit”, u përgjigj kreu i FFK-së.

Presidenti Ademi është duke qëndruar në Spanjë, në hotelin “Melia”, në të njëjtin hotel ku po qëndrojnë edhe lojtarët e Kombëtares së Kosovës.

“Dardanët” do të zhvillojë sot ndeshje si mysafirë kundër Spanjës, ku me fillim nga ora 20:45 të dy kombëtaret do të zbarkojnë në stadiumin “La Cartuja”, përballje kjo në kuadër të Grupit B./KP