Zgjedhjet në Preshevë, prin Alternativa për Ndryshim

- in Rajoni dhe Bota

Ende nuk ka përfunduar në tërësi numërimi i votave në njësitë e votimeve në Preshevë.

Kryetari i Komisionit Komunal Zgjedhor, Kenan Kamberi ka bërë të ditur për KosovaPress mbi numrin e votave të partive politike në zgjedhjet e sotme.

“Alternativa për Ndryshim-5728 vota, Partia Demokratike Shqiptare-3973, Partia për Veprim Demokratik-3223, Unioni Demokratik Shqiptar 431, Alternativa Demokratike Shqiptare- 381, LNS 756”, ka thënë ai.

Ndryshe, rreth 42.000 qytetarë të Preshevës kanë pasur të drejtë vote që të zgjedhin 38 përfaqësues në parlamentin lokal në 38 vendvotime.

Në garë janë gjashtë parti shqiptare dhe një listë serbe.

Ardita Sinani nga Partia për Veprim Demokratik është kandidatja e vetme femër që synon rikthimin në krye të komunës. Për të parin e komunës në garë është edhe Shqiprim Arifi nga Alternativa për Ndryshim, Ragmi Mustafa nga Partia Demokratike Shqiptare, Naser Azizi nga Unioni Demokratik Shqiptar, Armend Aliu nga Alternativa Demokratike Shqiptare dhe Sami Salihu nga Lëvizja për Reforma.

Kuvendi komunal i Preshevës u shpërnda në mes të muajit dhjetor 2020, pasi nuk ishte mbajtur asnjë seancë që nga 27 gushti 2020. /Sh.Pajaziti/KP