Para ndeshjes me Kombëtaren e Suedisë, mesfushori Besar Halimi u shpreh i kënaqur me fitoren bindëse kundër Lituanisë, ku po ashtu foli edhe për ndeshjen kundër Suedisë, duke e cilësuar këtë të fundit tejet të fortë.
Halimi ishte si rezervist në miqësoren kundër Lituanisë, ku u inkuadrua në lojë në minutën e 46’, dhe më pas shënoi golin e katërt dhe të fundit të ndeshjes, në minutën e 79’, përcjell KosovaPress.
I pyetur sot rreth fitores kundër Lituanisë, Halimi tregoi që ishte një fitore dhe një ndeshje e rëndësishme, pavarësisht se ishte miqësore.
Halimi: Fitore e rëndësishme, besoj jemi të gatshëm për Suedinë.
Video: 0:01
“Po super, ka qenë një lojë e rëndësishme edhe për neve, për me pa pas një kohe të gjatë se ku jemi si skuadër, dhe besoj qe jemi të përgatitur dhe të gatshëm për Suedinë”, tha Halimi.
Më pas, ai përfoli edhe kundërshtarin e ditës së diel, duke e cekur që do të përballen kundër një kombëtareje me lojtarë tejet të fortë.
Halimi: Lojë e vështirë kundër Suedisë, skuadër me super yje
Video: 0:13
“Po besoj që ka me qenë një lojë e vështirë. Suedia e ka një skuadër shumë të mirë, me disa super yje, edhe që luajnë nëpër top klubet e Evropës. Por, ne jemi te gatshëm për Suedinë dhe shpresoj që të bëjmë një fitore për “Dardanët”, tha mesfushori kosovar.
Krejt në fund, Halimi foli edhe për tifo grupin e “Dardanëve”, ku tha se fitoren do t’ia dedikojnë atyre.
Halimi: Me shpresa për fitore, do të jetë për “Dardanët”
Video: 0:44
“Po normal që na mungojnë “Dardanët”, por e dinë që janë gjithmonë afër neve, dhe pas neve. Dhe na përkrahin gjithmonë, dhe shpresojmë në fitore vetëm për ta”, tha Halimi.
Të dielën, Kosova e hap Botërorin “Katar 2022” me ndeshje kundër Kombëtares së Suedisë, ndeshje kjo në kuadër të kualifikimeve të Grupit B./KP