​Musliu e quan Kurtin kryeministër shqiptar që fëmijët e tij nuk flasin shqip – reagon Konjufca

- in Lajme

Deputetja nga PDK-ja, Ganimete Musliu theksoi se Albin Kurti po bën histori si kryeministër shqiptar, e të cilit fëmijët e tij nuk i flasin shqip në Kosovë dhe në shtëpinë e tyre.

Deputetja Musliu i ka bërë pyetje Kurtit, se përse u tërhoq dhe në ekspozenë tij nuk figuron shërbimi ushtarak.

Musliu: kryeministër shqiptar, që fëmijët tij nuk i flasin shqip në shtëpi

 

“Për fund se keni dëshirë t’iu quajmë kryeministër shqiptar, ju po e bëni historinë si kryeministër shqiptar dhe do të mbeteni në histori si kryeministër shqiptar, të cilit fëmijët e tij nuk I flasin shqip në Kosovë dhe në shtëpinë e tyre. Prandaj, pres përgjigje për këto pyetje që unë t’i parashtrova”, tha Musliu.

Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili tha çështje të tilla, të cilat e prekin drejtpërdrejt familjen, siç tha ai duhet eliminuar prej fjalorit të deputetëve.

Konjufca: Duhet eliminuar këtë gjuhë në kuvend

 

“Ju kisha lutur Musliu, por këtë le ta marrin edhe të gjithë deputetët e Kosovës që janë të pranishëm në këtë sallë, por edhe ata që nuk janë, si këshillë dhe sugjerim, që çështje të tilla, të cilat e prekin drejtpërdrejt familjen, dhe të cilat janë me qëllim denigruese, t’i eliminoni prej fjalorit tuaj. Këtë e sugjeron edhe rregullorja e Kuvendit të Kosovës, kjo ishte vetëm një tërheqje e vërejtjes, edhe për ju z. Haxhiu, që po e ngrisni zërin dhe, për ju znj. Musliu që çështje të tilla t’i largoni prej fjalorit tuaj sepse është gjuhë jo parlamentare”, tha ai.

Musliu ka pasur pyetje për Kurtin edhe për shërbimin ushtarak dhe për Gjykatën speciale.

Musliu: Çfarë ndodhi me shërbimin vullnetar ushtarak

 

“Unë shkurtimisht do t’i bëj disa pyetje lidhur me ato çka ju paraqitët. Pyetja e parë është, çka ndodhi me shërbimin e rregullt ushtarak, të cilin ju vetëm para një viti në këtë foltore e propozuat dhe me entuziazëm flisnit për një gjë të tillë… Si kryeministër I Kosovës a do të ofroni garancë shtetërore për ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare te Kosovës që po gjykohen në Hagë dhe cili është qëndrimi i juaj për Gjykatën Speciale, duke pasur parasysh gjithmonë deklaratat e tuaja si opozitar dhe premtimet tuaja për Gjykatën speciale kur do të ktheheni në qeveri. Prandaj, në ekspozenë tuaj nuk pash diçka të tillë lidhur me Gjykatën speciale”, tha ajo.

Ndërsa, pas diskutimeve, me 67 vota për është zgjedhur qeveria Kurti 2. /KP