PUNËT ME KOHË TË PJESSHME TË JAPIN NJË PAGË, POR DËMTOJNË KARRIERËN

- in Lifestyle

Punët me kohë të pjesshme i ndihmojnë gratë që të marrin një pagë të caktuar. Nga ana tjetër, ato mund të ndikojnë negativisht në zhvillimin e mëtejshëm të karrierës.

 

Të arrish të kuptosh një grua holandeze në një ditë të mërkurë mund të jetë shumë e ndërlikuar, shkruan The Economist.

Gjatë kësaj dite, shumica e shkollave fillore zhvillojnë mësim vetëm në gjysmën e parë të ditës dhe duke qenë se tre të katërtat e grave që punojnë janë me kohë të pjesshme, kjo është dita ideale për të pushuar. Holandezët mbajnë vendin e parë në botë për numrin më të lartë të punëve me kohë të pjesshme dhe shpeshherë krenohen për ekuilibrin e shëndetshëm që kanë vendosur ndërmjet jetës profesionale dhe asaj personale.

Por sigurisht që situata në fjalë shoqërohet edhe me kosto të caktuar. Në mesin e vendeve të Europës Perëndimore, Holanda ka hendekun më të madh të nivelit të pensioneve midis burrave dhe grave dhe njëkohësisht, edhe hendekun më të madh ndërmjet tyre sa u takon të ardhurave mujore.

Edhe pse numri i grave holandeze që janë aktive në tregun e punës është thuajse i njëjtë me numrin e grave që punojnë në Europën Perëndimore, kontributi i tyre në PBB-në e vendit, në 33%, është shumë i ulët, kryesisht sepse ato punojnë më pak orë në ditë. Në botën e pasur, puna me kohë të pjesshme u ndërpre në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të, pasi shërbimet zëvendësuan prodhimin dhe gratë u dyndën në tregun e punës. Vazhdon të mbetet shumë e rëndësishme ndihma që duhet t’u jepet grave që të arrijnë të gjejnë një punë, sidomos pasi ato kanë lindur, dhe veçanërisht në vende me norma tradicionale të theksuara gjinore.

Por kjo mund ta zgjasë, apo edhe ta përkeqësojë – pabarazinë gjinore dhe t’i bëjë gratë më pak të pavarura ekonomikisht, si pasojë e punëve me nivele më të ulëta të pagës dhe me një perspektivë më të keqe. Diferencat në orët e punës janë edhe një prej faktorëve kryesorë që ka ndikuar në rritjen e hendekut gjinor sa i takon nivelit të pagës. Një hendek i tillë mund të thellohet, duke qenë se tregjet e punës shpërblejnë në mënyrë disproporcionale ata që janë të gatshëm dhe të aftë të punojnë gjatë gjithë orarit të punës dhe që janë kryesisht burra. Pothuajse një në pesë punonjës në nivel global punojnë me kohë të pjesshme (të cilët punojnë më pak se 35 orë në javë).

Në shumë vende, gratë e martuara janë më të predispozuarat për të punuar me kohë të pjesshme, ndërsa sa u takon burrave të martuar, situata ndryshon totalisht, sepse numri i burrave të martuar që punojnë me kohë të pjesshme është shumë i ulët.

Në Bashkimin Europian, pothuajse një në tre gra të grupmoshës 20 deri në 64 vjeç punojnë me kohë të pjesshme, krahasuar me më pak se 1 në 12 burra. Pas krizës financiare, numri i punonjësve që u kthyen në mënyrë të pavullnetshme në punonjës me kohë të pjesshme (sepse po t’i jepej mundësia do të punonin më shumë orë), u rrit në mënyrë alarmante në disa vende, përfshirë Amerikën, Britaninë dhe Spanjën. Detyrimet familjare është një ndër faktorët me ndikimin më të madh dhe që i detyrojnë gratë në vende të ndryshme të botës të punojnë me kohë të pjesshme.

Në Amerikë, 34% e grave që punojnë me kohë të pjesshme e rendisin arsyen e mësipërme si kryesoren që i ka detyruar ato që të punojnë më pak orë (ndërsa përqindja e burrave që punojnë me kohë të pjesshme për shkak të detyrimeve familjare në Amerikë shkon deri në 9 për qind). Në BE, ky raport është 44% për gratë dhe 16% për burrat. Kostoja për gratë është padyshim e lartë.

Brenda OECD, me përjashtim të Japonisë dhe Koresë së Jugut, ku gratë janë të përjashtuara nga punët me nivel të lartë page, puna me kohë të pjesshme dhe hendeku gjinor i nivelit të pagave janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Arsyet janë të shumta dhe ndryshojnë nga një vend në tjetrin, por tre janë më të rëndësishmet. Së pari, pothuajse në pjesën më të madhe të shteteve, një orë pune më kohë të pjesshme paguhet më pak se një orë pune me kohë të plotë. Ndonjëherë kjo gjë ndodh edhe brenda të njëjtit profesion. Sipas një firme rekrutimi, u zbulua se ora e punës për punët me kohë të pjesshme ishte më e lartë për pozicionet e punës që kishin të bënin me marrëdhëniet me klientët, si sektori i shitjeve me pakicë ose aty ku ndihma e punonjësve mund të duhet në çdo moment, të tilla si pozicioni i zhvilluesit të faqeve të uebit.

Por zakonisht, pozicionet e punës që mund të bëhen me kohë të pjesshme ose që ofrohen nga vetë kompanitë për t’u bërë më kohë të pjesshme, kanë një pagë më të ulët në orë, sesa ato që nuk janë me kohë të pjesshme. Së dyti, pozicionet e punës me kohë të pjesshme ka më shumë mundësi që të jenë të “më të këqija”, të ofrojnë për punonjësit më pak trajnime dhe njëkohësisht edhe më pak të drejta ligjore, në krahasim me ato me kohë të plotë.

Në Amerikë, 39% e punonjëseve gra që punojnë me kohë të pjesshme, krahasuar me 6% të burrave me kohë të plotë dhe 9% të grave me kohë të plotë, janë pjesë e tregut “sekondar” të punës, me nivele të ulëta pagash, pa përfitime dhe me shumë pak mundësi për t’u zhvendosur në pozicione më të mira, shkruan Arne Kalleberg nga Universiteti i Karolinës së Veriut në studimin e saj “Puna e Pasigurt”.

Sipas Patricia Gallego-Granados nga DIW, një organizatë në Berlin, punët me kohë të pjesshme zakonisht shoqërohen edhe me termin “degradim profesional”, që nënkupton pranim e një pune jo të paguar mirë, pa trajnime, pa përfitime dhe pa mundësi rritjeje profesionale. Edhe disa prej punëve më të mira mund të përkeqësohen kur ato bëhen me kohë të pjesshme. Një studim i grave amerikane në profesione elitare të cilat lëvizën vullnetarisht në pozicione me kohë të pjesshme, arriti në përfundimin se ato ishin bërë pjesë e një shtegu ku kishin shumë pak ose aspak mundësi për t’u rritur profesionalisht.

Sipas organizatës britanike, IFS, rritja e nivelit të pagës për një grua ndalon në momentin kur ajo zhvendoset në një punë me kohë të pjesshme. Së treti, puna me kohë të pjesshme mund të jetë një kurth. Edhe pse pjesa më e madhe e grave që fillojë të punojnë me kohë të pjesshme shprehen se kjo gjë do të jetë përkohësisht, ato e gjejnë veten në të njëjtën punë me kohë të pjesshme edhe pas shumë vitesh. Një numër i lartë i tyre nuk fillojë kurrë punë me kohë të plotë. Pjesa më e madhe e grave holandeze që punojnë me kohë të plotë i takojnë grup-moshës nga 20 deri në 30 vjeç dhe mbi 30 vjeç ky trend bie dhe nuk ngrihet më.

Një studim në Australi zbuloi se mundësitë që gratë të rrisin numrin e orëve të punës apo pozicionin e punës, bie me 25-35 për qind, pasi gratë bëhen nëna. “Punët me kohë të pjesshme janë të mira nëse ato zgjasin pak”, shprehet Jon Messenger nga Organizata Ndërkombëtare e Punës. Për një punëdhënës, përfitimet e punës me kohë të pjesshme në krahasim me atë me kohë të plotë varen nga sektori. Sipas një studimi të kryer nga disa punonjës të farmaceutikës, kur kërkesa ndryshon shumë, puna me kohë të pjesshme është shumë më produktive.

Kompanitë ku punonjësit me kohë të plotë punojnë më shumë se 48 orë në javë mund të përfitojnë më shumë nga punonjësit të cilët punojnë me kohë të pjesshme, pasi produktiviteti mbi atë prag orësh të shpenzuar në punë fillon të bjerë. Por përndryshe provat janë të përziera. Në shtetet ku ka shumë pak sindikata, që u dalin në mbrojtje punonjësve me kohë të pjesshme (Holanda dhe Norvegjia janë dy përjashtime të rralla), kompanitë janë të parat që vendosin që një numër i madh i punonjësve të tyre të punojnë me kohë të pjesshme.

Në të vërtetë, hendeku gjinor i nivelit të pagave mund të zgjerohet. Një arsye është rritja e kërkesës për punëtorë “fleksibël”. “Unë nuk do të habiteshe aspak nëse kjo kërkesë për punëtorë fleksibël të ndikonte negativisht në punësimin e grave”, u shpreh z. Bazanini. Sipas një studimi të botuar nga Byroja Kombëtare e Kërkimeve Ekonomike u zbulua se hendeku gjinor i nivelit të pagave të Amerikës do të ishte 46% më i vogël nëse nuk do të ishte për shpërblimet gjithnjë e më disproporcionale për të punuar orë shtesë që prej viteve 1980.

Sikur të mos mjaftonte sa u tha më sipër, por si për ta përkeqësuar më shumë situatën, Youngjoo Cha, nga Universiteti Indiana thotë se gratë në familjet ku burri punon më shumë se 60 orë në javë, janë tre herë më shumë të predispozuara për ta ndërprerë fare punën në krahasim me familjet ku burri punon 35-50 orë në javë. Për aq kohë sa do të ketë njerëz që do të vazhdojnë të punojnë me kohë të pjesshme, gjasat për të zvogëluar hendekun gjinor të nivelit të pagave janë shumë të pakta.

Numri i burrave në botën e pasur që punojnë më shumë se 48 orë në javë është sa dyfishi i grave që punojnë po kaq orë. Në Amerikë, 20% e baballarëve amerikanë punojnë mbi 50 orë në janë në krahasim me 6% të nënave amerikane. Sipas një studimi të kryer së fundmi, pjesë e së cilit ishte dërgimi i CV-ve tek punëdhënësit e ardhshëm u zbulua se burrat të cilët kishin eksperienca të mëparshme në punë part-time kishin më pak mundësi që të telefonoheshin nga punëdhënësit, në krahasim me burrat që kishin punuar vetëm në punë më kohë të plotë.

Ndërsa gratë të cilat kishin punuar më parë me kohë të pjesshme nuk u përballën me një diskriminim të tillë. Për sa kohë që do të vazhdojnë të ekzistojnë standarde të dyfishta, shumë çifte ende do të zgjedhin të sakrifikojnë karrierën e saj dhe jo të atij./RTK