Mbrëmjen e sotme mbërritën 9360 doza të vaksinës Pfizer, të cilat ministrja e Shëndetësisë së Shqipërisë, Ogerta Manastirliu dhe ministri i Shtetit për Rindërtim Arben Ahmetaj i pritën në Aeroportin e Rinasit.
“Sot kemi edhe 9360 doza të cilat vijnë nga kontrata jonë me Pfizer dhe do të mbyllim vaksinimet me stafin mjekësor dhe të moshuarit në shtëpitë e të moshuarve për të siguruar mbrojtjen e plotë”, tha ministrja Manastirliu.
Ajo ka bërë të ditur se do të vijohet me grupet më të rrezikuara.
“Do të vijojmë me grupet e rriskuara që janë mësuesit. Duhet thënë që deri tani vendi ynë ka pritur në saj të kontratave mbi 80 mijë doza vaksinash. Vaksinimi do të vazhdojë ditë pas dite”, tha Manastirliu.
Ndërsa, ministri Ahmetaj ka thënë se sipas kontratës me kompaninë Pfizer janë gjithsej 500 mijë vaksina dhe se ardhjet e dozave të reja do të vazhdojnë në muajt prill, maj dhe qershor.
Ndryshe, edhe sot vijon procesi i vaksinimit antiCOVID në qendrat e përqendruara të vaksinimit në Shqipëri. Gjatë ditës së sotme janë kryer 2478 vaksinime antiCovid dhe që nga fillimi i vaksinimit janë kryer 27.365 vaksinime për personelin shëndetësor, të moshuarit dhe mësuesit./KosovaPress