Një tërmet i fuqisë 4.5 ballë sipas shkallës së Rihterit ka goditur sonte Maqedoninë Veriore.
Tërmeti është regjistruar 14 kilometra në jugperëndim të Gostivarit, transmetojnë mediat e Maqedonisë Veriore.
Qendra Sizmologjike Euro-Mesdhetare fillimisht raportoi se tërmeti kishte një magnitutë prej 3.8, por më vonë ndryshoi të dhënat në 4.5 sipas Rihter.
Nuk dihet nëse ka dëme eventuale materiale ose viktima në njerëz.
Prej disa ditësh, toka në rajonin e Gostivarit nuk është qetësuar. Një seri tërmetesh me epiqendër në Mavrovo u regjistruan në dy ditët e fundit, dhe qeveria lokale paralajmëroi banorët dhe qytetarët të cilët po qëndrojnë në vendbanimet e fundjavës në Mavrovo të mos përdorin ujë të pijshëm.
Siç informoi kryetari i komunave Mavrovo dhe Rostuse, Medat Kurtovski, nuk u raportuan dëme materiale në institucione pas dy tërmeteve me një madhësi prej rreth 5 ballë sipas Rihterit që ndodhën të premten./KosovaPress