Shtetet e Bashkuara janë në rrugën e duhur për të pasur mjaft vaksina kundër COVID për çdo të rritur deri në fund të majit, tha presidenti Joe Biden, i cili vlerësoi “Johnson and Johnson” për suksesin e tyre në bërjen e vaksinës në bashkëpunim me kompaninë “Merck”.
“Nuk janë vetëm “Johnson and Johnson” dhe “Merck”. Aty janë edhe Pfizer, Moderna, të cilët kanë punuar ngushtë me ne për të shpejtuar shpërndarjen e miliona dozave në të gjithë vendin. Rezultati është se jemi në rrugën tonë për të qenë në gjendje të vaksinojmë çdo amerikan të rritur deri në fund të majit, disa muaj më herët sesa pritej,” tha Biden, transmeton CNN.
Biden tha sot se ai do të kontaktojë Ministrinë e Shëndetësisë për të siguruar një shtesë prej 100 milionë dozash të vaksinës “Johnson and Johnson”./KosovaPress