​Politika e jashtme amerikane, Antony Blinken në fjalimin e parë të rëndësishëm

- in Rajoni dhe Bota

Bota nuk organizohet vetë, kur SHBA tërhiqet ose dikush tjetër përpiqet të zërë vendin e saj ose kur askush nuk del për të mbajtur barrën, kjo çon në kaos, tha sekretari i Shtetit Antony Blinken, në fjalimin e tij të parë të rëndësishëm si kryediplomat, ku parashtroi në linja të gjera politikën e jashtme të administratës Joe Biden.

Ai tha se për të mposhtur pandeminë është e nevojshme që të gjithë të punojnë së bashku dhe nga pandemia duhen nxjerrë mësimet e duhura për të investuar në të ardhmen për çështjet e shëndetit global.

Blinken premtoi se SHBA do të përdorë fuqinë e shembullit të saj.

“Ne do të inkurajojmë të tjerët të bëjnë reforma të rëndësishme, të anulojnë ligje të këqija, të luftojnë korrupsionin dhe të ndalin praktikat e padrejta, por SHBA nuk do të nxisë demokracinë përmes ndërhyrjeve të shtrenjta ushtarake ose duke u përpjekur të përmbysë me forcë regjime autoritare. Ne i kemi provuar këto taktika në të kaluarën. Sado me qëllime të mira, ato nuk kanë funksionuar. Ato i kanë dhënë ‘nxitjes së demokracisë’ një emër të keq”, tha ai.

Blinken tha se zgjidhja e problemeve të demokracisë brenda SHBA ka rëndësi të dorës së parë për diplomacinë e saj jashtë. Përndryshe, tha ai, “ne do të bënim lojën e Rusisë dhe Kinës të cilët shfrytëzojnë çdo rast për të mbjellë dyshime rreth demokracisë sonë.”

Lidhur me imigracionin, sekretari i Shtetit tha se një kufi i fortë është me rëndësi thelbësore për sigurinë e vendit, por shtoi se Amerika është vend imigrantësh dhe se duhet ta zgjidhë me diplomaci faktin që vit pas viti, njerëz nga vende të tjera rrezikojnë çdo gjë për të ardhur në Shtetet e Bashkuara.

Ndërkohë sipas Blinken, Amerika do të rivendosë lidhjet me miqtë dhe aleatët, por partneriteti me ta nënkupton që secili të bëjë pjesën që i takon dhe barra nuk duhet të mbahet vetëm nga SHBA./tch/KosovaPress