​Tërmeti në Greqi, nxirret nga rrënojat e banesës i moshuari

- in Rajoni dhe Bota

Një prej brigadave të shpëtimit ka nxjerrë nga rrënojat e shtëpisë në Mesohori të Elasonës në Thesali, një të moshuar që nuk mund të dilte jashtë gjatë lëkundjeve të tërmetit që goditi Greqinë qendrore 16 minuta pas mesditës.

Video të shumta bënë xhiron e mediave greke duke treguar çastet e para të panikut kur tërmeti prej 6 ballësh sipas shkallës Rihter është regjistruar në një thellësi prej 7.8 km vetëm 14 km në veri të Larisës.

Tre minuta më vonë, pasoi një lëkundje e dytë e shkallës 4.9 Rihter dhe brenda 30 minutash ndodhën dy të tjera 4.7 dhe 4.2 Rihter.

Pas lëkundjes së parë banorët në gjithë Thesalinë dolën në rrugë të tmerruar ndërsa thellësia e vogël ishte shkak që lëkundjet të ndjeheshin në gjithë vendin veçanërisht në Greqinë qendrore.

Ndërkohë autoritetet njoftojnë për dhjetëra shtëpi të vjetra që janë shembur, madje edhe kisha e shkolla për fat të mirë pa nxënës brenda. Ka gjithashtu edhe rrëshqitje shkëmbinjsh në disa rrugë dytësore apo dëmtime urash. Për shumë orë ka pasur probleme në rrjetin telefonik dhe ujësjellësin.

Zyrtarë nga Ministria e Infrastrukturës, së bashku me një grup inxhinierësh të urdhëruar nga kryeministri, kanë mbërritur në zonë dhe një helikopter i Brigadës së Zjarrfikësve ka kryer mbikëqyrje ajrore për të zbuluar dëmet.

“Ishte shumë e papritur dhe u frikësuam. Unë jetoj në katin e pestë. Ishte një përvojë e frikshme. Shpresojmë se ky ishte tërmeti kryesor”, tha një grua.

Sipas sizmologëve, aktiviteti post-sizmik do të jetë intensiv në ditët në vijim andaj Mbrojtja Civile e Larisës ka këshilluar banorët të mos futen në shtëpitë e vjetra, por ta kalojnë natën në vende të sigurta, ndërsa shkollat do të mbeten të mbyllura./tch/KosovaPress