Gjykata e Apelit ka liruar nga akuza inspektorët e Komunës së Prishtinës të akuzuar për korrupsion në në rastin e njohur si “70 dosjet”. Apeli ka liruar nga akuza inspektorët Ismet Haliti, Skender Canolli, Vehbi Abdullahu dhe Mërgim Shala.
Lajmin për lirimin e Shalës e ka konfirmuar pwr Demokracinë avokati i tij, Valdrin Behrami.
Në 2014-ën, Lëvizja Vetëvendosje kishte deponuar në Prokurorinë Speciale 70 dosje kundër administratës së Komunës së Prishtinës dhe Isa Mustafës atëkohë kryetar të Prishtinës. Pas deponimit të këtyre dosjeve, inspektorët e Prishtinës akuzoheshin për veprën penale të pjesëmarrjes në grupin kriminal të organizuar lidhur me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë, për vepra penale qe ndërlidhen me ndërtimet kundërligjore, kundër njëmbëdhjetë personave, prej tyre dhjetë zyrtarë të Komunës së Prishtinës dhe një pronar i një kompanie private.
Sipas aktakuzës dhjetë të pandehurit, duke vepruar si grup kriminal, të cilët kanë shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare, për kryerjen e veprave penale, gjatë periudhës janar 2010 – mars 2014, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë për vete dhe për të tjerët, ashtu që nuk i kanë i parandaluar dhe nuk i kanë ndërprerë ndërtimet kundërligjore, si dhe nuk i kanë ekzekutuar vendimet për rrënimin e objekteve, që ndërtoheshin në mënyrë kundërligjore në Komunën e Prishtinës.
Ndërkaq, pronarin e një kompanie private aktakuza e ngarkonte për falsifikimin e dokumentit, në bazë të së cilit ka ndërtuar një objekt kolektiv banesor pa lejen e ndërtimit.
Të gjithë të pandehurit, si zyrtarë të Komunës së Prishtinës, së bashku u kanë mundësuar investitorëve që të ndërtojnë objekte kolektive banesore, në kundërshtim me ligjin për ndërtim, duke iu siguruar atyre dobi të mëdha materiale, si dhe nga shitja e banesave dhe lokaleve, dobi financiare në shumë të përgjithshme prej 28.503,922,00 €”, thuhej në komunikatë.
Dobia e përfituar me anë të kryerjes së veprave penale është konfiskuar. Nga një i pandehur ishte konfiskuar vetura e markës Audi Q7, në vlerë prej 37.000,00 €, vetura e markës VW Golf në vlerë prej 12.500€, vetura tjetër e markës VW Golf në vlerë prej 16.800,00€, si dhe para në shumën prej 11.000,00 €.
“Nga një i pandehur tjetër është konfiskuar vetura e markës VW Passat, në vlerë prej 20.000,00€, si dhe para në shumën prej 10.560,00 franga zvicerane, 2.600,00$ amerikan dhe 1.880,00€. Ndërsa nga i pandehuri tjetër është konfiskuar banesa me sipërfaqe prej 76.3m2”, thuhej në kumtesë.
Ismet Haliti, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala, Granit Cenaj dhe Drita Rukiqi, akuzoheshin se në pozitën e inspektorëve të ndërtimit në Komunën e Prishtinës, gjatë periudhës kohore 2010-2014, nuk i kishin përmbushur detyrat zyrtare sipas ligjit. /Demokracia.com/