Në “Shtëpinë e Sigurt” është qe 1 muaj e gjysmë. Në dhomën ku po zhvillonim bisedat, hynë e treta. Ka një energji të jashtëzakonshme pozitive.
“E kam pas qef të merrem me gazetari”, thotë ajo qysh në fillim të bisedës. “Por edhe juridikun e kam dashur”, shton menjëherë, teksa fillon të rrëfej për jetën e saj të lumtur si fëmijë e vajze e re në një fshat të Bajram Currit në Shqipëri.
“Kemi dëgju muzike si Elita 5 kur kam qenë adoleshente. Ka qenë shumë periudhë e mirë. Ka qenë grupi Marigona, i dëgjojshim me kaseta, se atë kohë ka qenë ashtu”, rrëfen ajo.
Jeta e saj është një histori e lumtur e çdo të reje që jeton në një harmoni familjare, derisa në shprehje vjen patriarkati i familjeve shqiptare. Sidomos atyre në fshatrat e thella të veriut në Shqipëri.
“Masi ra komunizmi, ra edhe ligji, tani jetojshim me Kanun. Baba jem u ba plak i katunit, e ka pas shumë respekt. Edhe në familje tonë, fjalen e fundit e ka pas ai”, rrëfen për jetën e saj si e re, tash 40 vjeçarja nënë e 6 fëmijëve nga një martesë e betuar në Kanun që rezultoi me dhunë disa vite radhazi.
Ajo është viktimë e Kanunit të Lekë Dukagjinit si “një kushtetutë brutale ndaj grave” dhe një rregulli të traditës “ku fjala e babes, veç zbatohet”. Dhe ky rregull i traditës i përzier me njëfar “patriotizmi”, i ka kushtuar shumë rëndë asaj.
“Baba jem e ka pas andërr Kosovën. E ka pas fiksim që me u bo miq me kosovar. Thoshte se janë burra të mirë. E unë e ngova. Nuk ia prisha, se nuk bojke me ja prish fjalën babës. Ai ka qenë kryesori”, rrëfen ndër të tjera ajo.
“Kur erdhën me më lyp, ai m’dha. Nuk më ka pyet a don a jo, por më tha se më pëlqen Kosova, më pëlqyen njerëzit”.
Qysh në takimet e para, ajo do ta kuptonte se nuk përshtateshin por “baba më tha që mos me ja prish”. Baba tashmë nuk jeton, por vendimi i tij për vajzën i ka shkaktuar pasoja të pashlyeshme asaj.
Dëgjoni rrëfimin e kësaj gruaje që është sinonim i fatkeqësisë së patriarkatit në familjet tona dhe sesi fuqia e Kanunit e ka bërë atë të mendoj që të kthehet sërish në “shtëpinë e dhunës” edhe pse gjendet në shtëpinë e sigurt nga dhuna. Nacional.com / Vullnet Krasniqi