“Kryeministër, a ka Asociacion në Planin Evropian”?
Kjo është pyetja që në mbrëmjen e 22 marsit 2023 iu bë në RTK, Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, nga i cili morëm përgjigjen e thjeshtë dhe të shpejtë: “Ka Asociacion! Neni 10 thotë që të dy palët e konfirmojnë obligimin e tyre për të zbatuar marrëveshjet e kaluara…”.
Për një moment u rrënua i gjithë opozitarizmi dhjetëvjeçar kundër Zajednicës apo Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që me dhunën si mjet politik që u përdorë, Republikës së Kosovës i solli pasoja të pariparueshme në konsolidimin e brendshëm dhe ndërkombëtar.
Vetëm 4 netë para kësaj interviste, kryeministri Kurti ishte dakorduar me presidentin serb për Aneksin e Zbatimit [Ohër, 18 mars 2023] të Marrëveshjes Bazë [Bruksel, 27 shkurt 2023], e cila asokohe quhej herë plani evropian e herë plani franko-gjerman.
Në Marrëveshjen Bazë nuk ishte vetëm neni 10 ku flitej për Zajednicën apo Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Kurti, për herë të parë në marrëveshje me Serbisë kishte përfshirë edhe një nen të veçantë Zajednicën, duke tjetërsuar qëllimin e saj.
Bëhet fjalë për nenin 7, të cilin Kurti e llogariti si sukses të dialogimit të tij.
“Neni 7 është rezultat i dialogut në këto dy vite. Pa nenin 7 do të përfundonim vetëm me nenin 10. Kërkesa jonë ka qenë tek zbatimi i plotë i marrëveshjes. Në këtë drejtim, më 21 tetor kemi pritur 5 emisarët me një plan për ecjen përpara që përfshinte edhe një plan për një draft-statut për zbatimin e nenit 7”, deklaronte Kurti më 3 nëntor 2023, gjatë raportimit të tij për takimin e 21 tetorit me 5 emisarët që vinin nga ShBA-ja, Gjermania, Franca, Italia dhe BE-ja, të cilët ia dorëzuan në zyrën e tij një draft-statut për themelimin e Zajednicës apo Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Në fakt, përmes kësaj deklarate, kryeministri Kurti ka zbuluar se neni 7, i cili shikohet me mjaft frikë në Kosovë si një derë që mund të çojë në autonominë e serbëve është rezultat i dialogut të tij.
Ky nen nuk ishte përmendur asnjëherë më parë në procesin negociator mes Kosovës dhe Serbisë, por ndodhi, ashtu siç e pranoi edhe vetë Kurti të premten e 3 nëntorit, gjatë dialogut të udhëhequr prej tij, që u formalizua në Marrëveshjen Bazë (Bruksel, 27 shkurt 2023) e arritur nga ai me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Kjo marrëveshje ka 6 paragrafë në preambulë dhe 11 nene. Në mesin e tyre është edhe Neni 7, për të cilin kryeministri Kurti zbuloi detaje të rëndësishme në seancën e Kuvendit dhe Neni 10, përmes së cilit, Kurti si kundërshtar i madh i Zajednicës, ka pranuar që ta themelojë atë, duke braktisur kauzën e tij 10-vjeçare që e solli në pushtet.
Neni 7 ka dy pjesë përbërëse e themelore. Në pjesën e parë të tij, serbëve në Kosovë u sigurohet një nivel i duhur i vetëmenaxhimit. Ndërkaq, në pjesën e dytë të të njëjtit nen, Kosova ka marrë obligime që ta zyrtarizojë statusin e Kishës Ortodokse Serbe.
Neni 7 për Vetëmenaxhimin e serbëve ka ngjallur frikë në Kosovë sapo ai është bërë i ditur për publikun nga Bashkimi Evropian dhe pasi palët, Kosova dhe Serbia, janë dakorduar në Bruksel në fund të muajit shkurt të vitit 2023.
Një draftstatut është përgatitur për zbatimin e këtij neni. Më 21 tetor 2023, Kurti ka pranuar edhe draft-statutin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, të cilin ia kanë dorëzuar 5 emisarët që përfaqësojnë ShBA-në, BE-në, Gjermaninë, Francën dhe Italinë, si dhe më 26 tetor 2023 ka shprehur gatishmëri para liderëve evropianë (Scholz, Macron, Meloni, Michel, Borrell) që të njëjtin ta nënshkruajë.
Ky draftstatut po vazhdon të mbahet fshehur nga palët, megjithkëtë në intervista të ndryshme zyrtarët qeveritarë kanë nxjerrë detaje nga përmbajtja e rrezikshme e tij.
Më 13 dhjetor 2023, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka zbuluar gjatë një interviste për RTK-në se Statuti i Zajednicës i referohet Rezolutës 1244. “Diku në draft përmendet [Rezoluta 1244]. Për këtë përgjigjen ata që e kanë hartuar”.
Mbështetja e Statutit të Zajednicës apo Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së e vitit 1999, për profesorin e së Drejtës Ndërkombëtare dhe njëherit ish-kryetar i parë i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasanin, “ka pasojë të drejtpërdrejta për shtetësinë e Kosovës dhe shënon fazën e re në procesin e zhbërjes së Mendimit Këshilldhënës të GJND-së për Kosovën dhe, për rrjedhojë, të pavarësisë së shpallur më 17 shkurt 2008”. /Demokracia.com/