200 milionë dollarët amerikanë që e bën kompakt skenën politike

- in Lajme

“Asnjë kundër, asnjë abstenim”. Janë të rralla momentet kur kryetari i Kuvendit i shqipton këto fjalë pasi deputetët votojnë. Një i tillë ishte sot.

Kuvendi e ratifikoi marrëveshjen e nënshkruar me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) në Washington DC. Në sallë ishin 89 deputetë dhe të gjithë votuan për. Asnjë nuk ishte kundër. Askush nuk abstenoi.

Paraprakisht, përmes një mocioni procedural deputetët u pajtuan që kjo marrëveshje të futej në rendin e ditës. Dëshmisë së unitetit të rrallë mes ligjvënëse, mund t’i shtohet fakti se futja e kësaj pike në rend dite u propozua nga kryetari i Komisionit për Ekonomi, deputeti i PDK-së Ferat Shala.

Edhe pse grupet parlamentare opozitare u pajtuan që të futej në votim ratifikimi i marrëveshjës 236.7 milionë dollarësh e nënshkruar me SHBA-në, s’do të kalonin pa i thënë disa fjalë se kush i ka meritat për këtë punë.

Kur mori fjalën, Abelard Tahiri, shef i Grupit Parlamentar, ai tha negociatat me MCC-në për grante i kishte nisur shtatë vjetë më parë Presidentja Atifete Jahjaga dhe Hashim Thaci, që atë kohë ishte Kryeministër.

“Ky projekt Në Republikën e Kosovës është tash e 7 vite. Negociatat për këtë projekt i kanë fillu ish-Presidentja Jahjaga dhe Kryeministri Thaçi. Është finalizu për herë të parë në vitin 2017 me nënshkrimin e parë të këtij projekti, pra nga Presidenti Thaçi, në Kongresin Amerikan”, ka thënë Tahiri sot në Kuvend, ku pritej të ratifikohej marrëveshja me MCC-në e nënshkruar dje në Ëashington nga ministrja Artane Rizvanolli, në praninë e Kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentes Vjosa Osmani.

Kryeministri Kurti ka thënë nga Ëashington, D.C se është i pikëlluar që nuk është sot në Kuvend për ta parë opozitën duke e përkrahur marrëvehsjen. Tahiri tha sot se i vjen keq që Kurti nuk është aty, para një projekti, që ai e sheh si produkt të 20 viteve, para pushtetit të VV-së.

“Më vjen keq që nuk e kemi këtu Kryeministrin e me pa si ndihet ai përballë një projekti që është zhvilluar në kuadër të këtij 20-vjecari. Si ndihet ai përballë nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje; një marrëveshje që ka filluar të negociohet në vitin 2014, për involvimin e Republikës së Kosovës” , tha Tahiri.

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, në fjalën e tij, dëshiroi të japë një rrjedhe kronologjike deri te nënshkrimi i marrëveshjes. Ai tha se më së paku merita ka Qeveria Kurti. Meritor, sipas Hotit, është Qeveria e Isa Mustafës, ku ai ka qenë ministër dhe Presidentja Jahjaga.

“Do t’i them disa të vërteta për kronologjinë e kësaj marrëveshje. Duhet thënë se Qeveria Kurti ka më së paku merita për këtë marrëveshje. Por, pavarësisht kësaj, është Qeveria Kurti që e ka vonuar, së paku dy vjet, realizimin e kësaj marrëveshje.  Kjo marrëveshje ka filluar qysh në Qeverinë Mustafa. Edhe Presidentja Jahjaga ka merita të veçanta për inicimin e kësaj marrëveshje. Në Qeverinë Mustafa atëherë kemi punuar gjatë në plotësimin e një liste të gjatë të kushteve për t’u kualifikuar”, tha Hoti në Kuvend, duke treguar se Grupi Parlamentar i tij i jep mbështetje të plotë ratifikimit të kësaj marrëveshje.

Pas fjalimeve për meritat se kush i solli grantet e MCC-së, që është një agjenci e pavarur e themeluar në SHBA, deputetët votuan unanimisht pro marrëveshjes.

Këtë herë në sallë ishin 89 deputetë dhe sërish, të gjithë votuan për. Asnjë nuk ishte kundër. Askush nuk abstenoi.

Deputetët e ratifikuan me votim unanim edhe marrëveshjen e partneritetit për kornizën financiare me Komisionin Europian për marrëveshjet për zbatimin e ndihmës financiare të BE-së për Kosovën në kuadër të Instrumentit të Para-anëtarësimit (IPA III). /Express/