Përdorimi i substancave narkotike te të rinjtë vazhdon të mbetet dukuri shqetësuese. Kështu tha për Radio Kosovën drejtori i Qendrës Mediko-psikoterapeutike “Labirinti”, Safet Blakaj. Sipas tij, përveç përdorimit të marihuanës nga të rinjtë, është evidente edhe shtimi i përdoruesve të kokainës.
Përdorimi i substancave narkotike te të rinjtë në vendin tonë, vazhdon të mbetet dukuri shqetësuese. Mosha mesatare e atyre që përdorin droga në Kosovë ka rënë në 16 vjeç.
Ajo që vlen të ceket është se drogat që përdoren më së shumti dy vitet e fundit, janë marihuana, por edhe është shënuar rritje e shpejtë e përdoruesve të llojit kokainë. Kështu thotë Safet Blakaj, drejtor i Qendrës Mediko-psikoterapeutike “Labirint”, sipas të cilit, kokaina ka qenë e shprehur te moshat rreth 25 vjeç, ndërkohë që tash e përdorin edhe grupmoshat 19-24 vjeç. Megjithëkëtë, ai tha për Radio Kosovën se nëse krahasohet me vitin paraprak, numri i përdoruesve nuk ka shënuar rritje, por vetëm ka rënë mosha e përdoruesve.
“Për sa u përket moshave që kërkojnë trajtim në qendrën ‘’Labirinth’’, mosha mesatare e tyre prej vitit të kaluar nuk ka pasur dallim. Mosha mesatare është 16.2 vjeç, mesatare që ka rënë dukshëm në dekadën e fundit, dhe është shqetësuese. Për sa i përket pandemisë nuk kemi pasur ndonjë ndryshim të madh, por terapia grupore është ndërprerë si dhe puna në teren. Ne jemi në kontakt në baza ditore me klinikën e psikiatrisë, dhe numri i atyre që kërkojnë ndihmë është i ngjashëm sikurse atje edhe te ne’’, tha Blakaj.
Njëri nga përdoruesit e drogës heroinë, ka pranuar që të flasë për radion tonë, por duke ndarë kështu dhimbjen dhe vuajtjet që ai po i përjeton.
Ka disa muaj që ka vendosur të kërkojë ndihmë në qendrën Mediko-psikoterapeutike “Labirint”, ku tashmë është duke u përpjekur që t’i shmanget heroinës dhe të përdorë ilaçin metadon, përdorimi i cilit parashihet me një program të veçantë të kësaj organizate për ata që kanë problem nga varshmëria me drogat.
“Unë e kam përdorë drogën heroinë, dhe mu ka duk mirë.. Kom dashtë mandej me ndërpre por kam filluar t’i ndiej dhimbjet e trupit. Unë nuk kam kontakte me familje. Më ka ik familja, gruaja, fëmijët. Njeriu bën gjithçka kur është në kriza të drogës. Vjedh, bën gjithçka, vetëm që ta siguroj drogën’’, tha ai.
Ndërkaq Samire Gashi Braina, shefe në repartin për vartësit nga drogat që vepron në kuadër të Klinikës së Psikiatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, tha për Radio Kosovën se ndonëse në këtë vend kërkohet ndihmë, numri i të rinjve nuk ka shënuar ngritje, nëse krahasohet me vitet paraprake.
‘’Numri është i njëjtë sikur vitet paraprake. Numri sillet konstant sikurse vitet e kaluara. Frekuentojnë moshat adoleshente, por në njëfarë mënyre numri është i njëjtë. Unë kam dëgjuar nga mediet që thuhet se është rrit numri i fëmijëve që kërkojnë trajtim në klinikën psikiatrike, dhe prindërit që kanë fëmijë kanë qenë të shqetësuar, por situata nuk është alarmante, është e njëjtë siç ka qenë’’, tha ajo.
Në Kosovë konsiderohet se janë rreth 30 mijë përdorues aktivë të drogave. Sipas të dhënave të Qendrës Mediko-psikoterapeutike “Labirint”, personat e mitur, nën moshën 18 vjeç, përfshirë këtu edhe nxënësit në shkolla, janë grupmosha më e rrezikuar nga substancat narkotike.
Ndërkaq në Kosovë gjatë vitit 2020 në Qendrën Mediko psikoterapike‘’Labirint’’ ndihmë mjekësore nga përdorimi i substancave narkotike kanë kërkuar 2.420 persona të cilët kanë pasur probleme nga varësia. Safet Blakaj, drejtues i kësaj qendre, tha se prej tyre, 31 persona kanë qenë të moshës së mitur. Por ajo që vlen të theksohet është se pjesa më e madhe e tyre, nuk kanë qenë përdorues problematikë por që e kanë përdorur kohë pas kohe llojin e drogës marihuanë.