Kosova ka nënshkruar kontratën me Pfizer dhe deri në fund të vitit pritet të arrijnë 1.2 milion doza të kësaj vaksine. Ndërsa deri në fund të vitit Kosova synon të vaksinojë 60 për qind të popullatës.
Kështu ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, pas mbledhjes së Qeverisë ku u mor vendimi për lehtësimin e masave antiCovid-19.
Vitia në konferencë për media tha se vaksinimi kundër Covid-19 është prioriteti kryesor i Qeverisë Kurti.
Ministri Vitia tha se angazhimi për të siguruar numër sa më të madh të vaksinave dhe për të dinamizuar procesin e vaksinimit ka synim përmbylljen e fazës së parë dhe kalimin në fazën e dytë.
Kjo sipas tij nënkupton zgjerimin e kategorive që do të përfshihen në vaksinim.
Vitia: Procesi i vaksinimit është i domosdoshëm për t’u rikthyer në normalitet
“Siç e dini mbrëmë kemi pranuar edhe 100,620 doza të vaksinës përmes mekanizmit COVAX falë partnerëve e miqve tanë. Që nga arritja e 24 mijë dozave të para të vaksinës të cilët u pasuan nga 38.400 doza që morëm dy javë më parë dhe 15 mijë doza të cialt janë pranuar deri më tani nga mekanizmi i BE-së për Ballkanin Perëndimor arrin totalin prej 178.020 doza të vaksinës kundër Covid-19 dhe ne do të kemi edhe doza të tjera ditëve dhe javëve në vijim. Kjo nënkupton se procesi i vaksinimit është i domosdoshëm për t’u rikthyer në normalitet dhe për të shtyrë përpara rimëkëmbjen e shpejtë sociale dhe ekonomike”, tha ai.
Ai tha se si MSh me mekanizma tjerë shtetërorë është duke punuar në drejtim që procesi i vaksinimit të shkon ashtu siç e kanë paraparë. Dhe për këtë tha se është aprovuar plani masiv i vaksinimit të popullatës, me anë të së cilit synojnë të vaksinojnë rreth 400 mijë qytetarë në muaj.
Vitia: Është aprovuar plani masiv i vaksinimit të popullatës
“Është aprovuar plani masiv i vaksinimit të popullatës i cili gjatë ditëve të shkuara është prezantuar njësive të vaksinimit në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës. Ky plan do të fillojë të zbatohet nga 15 qershori i këtij viti. Plani për vaksinim në masë nënkupton administrimin e një numri shumë më të madh të vaksinave brenda 1 muaj në Republikën e Kosovës që mendohet mes 300 dhe 400 mijë vaksinave në muaj. Që të realizohet kjo MSh ka detajuar rrugët dhe mjetet se si do të arrijë këtë shifër të vaksinimit duke planifikuar fuqizimin e kapaciteteve njerëzore, mjekë, infermierë, administrues të teknologjisë informative dhe staf mbështetës”, tha ai.
Vitia bëri të ditur se tashmë kanë arritur të realizojnë kontratë me kompaninë Pfizer, ku synohet që deri në fund të vitit të arrijnë të sigurojnë 1.2 milion vaksina.
Vitia: Deri në fund të vitit synojmë të vaksinojmë 60 për qind të popullatës
“Kemi finalizuar edhe marrëveshjen me kompaninë Pfizer për sigurimin e dozave të vaksinave. Kjo do të na jep mundësinë që të bëjmë atë që kemi premtuar nga fillimi që deri në fund të vitit 60 për qind e popullatës do të vaksinohen. Po punohet paralelisht edhe në shumë objektiva tjera me qëllim që trajtimi i pandemisë të bëhet nga aspekte të ndryshme dhe gjithëpërfshirëse, duke rikthyer në funksion edhe shërbimet tjera shëndetësore për qytetarët tanë. Për këtë qëllim është trajtuar plani strategjik kundër Covid-19 dhe gjithashtu është para finalizimit plani i veprimit për testime dhe është në fazën finale të tij”, tha ai./KP