Parlamenti i Norvegjisë u vu përsëri në shënjestër të hakerëve, gjashtë muaj pasi sistemi IT ishte rrezikuar për shkak të sulmit, tha kreu i administratës, Mariana Andreasen.
“Ne e dimë që të dhënat janë nxjerrë, por ende nuk kemi informacion të plotë në lidhje me situatën,” deklaroi ajo, raporton RT.
Sulmi ka të bëjë me informacionin e mëparshëm në lidhje me “cenueshmërinë” e platformës së postës elektronike Microsoft Exchange, për të cilën gjigandi i teknologjisë nuk ishte në dijeni dhe hakerët mund ta kishin përdorur atë.
Andreasen tha se shkalla e dëmit nuk dihet ende, si dhe fajtorët, por parlamenti ka marrë masat e nevojshme “gjithëpërfshirëse” në bashkëpunim me shërbimet e sigurisë norvegjeze. Incidenti u raportua gjithashtu në polici.
Kryetari i Parlamentit norvegjez Tone Wilhelmsen Troen tha se niveli i kërcënimit në vend ishte “gjithnjë e më serioz” dhe se sulmet kibernetike mund të kishin “pasoja serioze” për proceset demokratike.
Nuk dihet nëse sulmi i fundit kibernetik në parlament ka të bëjë me atë që ndodhi në shtator 2020, në të cilin u hakuan email-et e disa deputetëve dhe anëtarëve të stafit parlamentar..KosovaPress