​“Stop dhunës, bëhu shembull”: Mesazhi i kryetarit të KF Vjosës, në përkrahje ka edhe Komunën e Shtimes

- in Sport

Komuna e Shtimes, respektivisht Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport ka përkrahur kryetarin e Klubit të Futbollit Vjosa, Avdi Sadikun në lidhje me vendimin që ka marrë në rastin e huliganizmit në ndeshjen me KF Fushë Kosovën.

Me datë 17.04.2021, ndeshja mes KF Vjosës dhe KF Fushë Kosovës morri kahe jo sportive, ku në stadium tifozët dhe stafi i skuadrës së Fushë Kosovës hynë me qëllim për të sulmuar futbollistët e KF Vjosës.

Sadiku, ka dorëzuar dje ankesën e shkallës së dytë në zyret e FFK-së së bashku me avokatin e autorizuar nga klubi dhe me sekretarin e klubit, përcjell KosovaPress.

Ankesa ka të bëjë me vendimin skandaloz të marrë me datën 20.04.2021 nga komisioni i garave, ku fajtor për të gjithë incidentin e shkaktuar është caktuar vetëm gjyqtari.

“Ne si klub, kërkojmë nga komisioni i shkallës së dytë që këtë rast ta shqyrtojë në përpikëri me aktet normative të FFK-së, duke u bazuar në ligj. Vendimet e tilla duhet të jenë të drejta dhe të bazuara në fakte që të përçohet mesazhi i qartë për të gjithë që dhuna, huliganizmi nuk kanë vend në fushat sportive”, tha Sadiku.

Po ashtu, ai informoi se klubi i tij nuk do të paraqitet në ndeshjen përsëritëse, duke e bojkotuar atë për shkak të këtij vendimi.

“KF Vjosa nuk do të paraqitet në ndeshjen PËRSËRITËSE të datës 25.04.2021 sipas vendimit te FFK-së. Klubi ynë do të ushtroj të drejtën e tij të ankesës në shkallën dytë në FFK, dhe do t’i ndjek të gjitha instancat për të kërkuar drejtësinë për këtë ndeshje! Klubi ynë do të vazhdoj garën tutje në ligën e dytë sipas kalendarit të përcaktuar nga FFK-ja duke ndjekur synimet e saj për inkuadrimin në ligën e parë”, shtoi Sadiku.

Për fund, kryetari i KF Vjosës dha edhe një mesazh, duke kërkuar që dhuna në stadium duhet sa më parë të ndalohet.

“STOP DHUNËS, behu shembull” – ishte mesazhi kryetarit të KF Vjosës, Avdi Sadikut./KP