​Shqipëri, 15 të vdekur në 24 orët e fundit – më i riu 34-vjeç

- in Shqipëri

15 persona kanë humbur jetën nga koronavirusi në Shqipëri në 24 orët e fundit.

Nga 3001 testime të kryera, janë konfirmuar 543 raste të reja, ndërsa raportohet se janë shëruar 578 persona.

Gjatë ditës së sotme janë kryer 2478 vaksinime antiCovid dhe që nga fillimi i vaksinimit janë kryer 27,365 vaksinime për personelin shëndetësor, të moshuarit dhe mësuesit, ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë.

Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki: 188 raste në Tiranë, 38 në Shkodër, 37 në Durrës, 31 në Fier, 30 në Elbasan, 19 në Sarandë, 17 në Mirditë, 16 në Vlorë, 15 në Përmet, nga 13 raste në Gjirokastër, Pogradec, nga 12 raste në Lushnje, Finiq, 11 në Delvinë, 9 në Kamëz etj.

Aktualisht në spitalet COVID në Tiranë dhe tre spitalet rajonale po trajtohen 485 pacientë, 32 në terapi intensive, nga të cilët 9 pacientë janë të intubuar.

Me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor, 15 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID-19: 4 qytetarë nga Tirana, 3 nga Fieri, 2 nga Korça, 2 nga Durrësi, 1 qytetar nga Shkodra, 1 nga Kruja, 1 nga Elbasani dhe 1 qytetar nga Skrapari, të moshave 34-82 vjeç.

Që nga shpërthimi i epidemisë me koronavirus në Shqipëri janë konfirmuar gjithsej 118.017 raste pozitive, prej tyre 81.061 janë shëruar, 34.896 janë raste aktive, ndërsa betejën me sëmundjen e rrezikshme e kanë humbur 2060 pacientë./A2/KosovaPress