Qeveria e Kosovës javën e kaluar ka miratuar programin qeverisës për 2021-2025, i cili tashmë është publikuar i plotë nga Zyra e Kryeministrit.
Ndër prioritetet më urgjente janë menaxhimi i COVID-19 dhe lehtësimi i pasojave ekonomike dhe sociale të shkaktuara nga pandemia.
Prioritet tjetër mbetet edhe luftimi i krimit dhe korrupsionit.
Sa i përket menaxhimit të pandemisë, Qeveria Kurti ka paraparë të ndërmarrë disa hapa, në mesin e të cilëve është sigurimi i vaksinës i 60 për qind të qytetarëve, në grup-moshën e atyre që duhet vaksinuar deri në fund të këtij viti, pako emergjente financiare për mbështetje të trajtimit klinik për të shtruarit në klinikat e dedikuara për trajtimin e pacientëve me COVID-19 dhe hapa të tjerë.
Qeveria ka paraparë edhe riorganizim të sektorit të shëndetësisë, si dhe ndryshimin e Ligjit për Sigurim Shëndetësor.
Lidhur me parandalimin dhe luftimin e krimit, Qeveria ka paraparë ngritjen e kapaciteteve njerëzore, analitike dhe hetuese të mekanizmave të rendit dhe sigurisë.
Po ashtu qeveria synon të përfundojë procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.