​Qeveria e Kosovës miraton koncept dokumentin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme

- in Lajme

Qeveria e Kosovës ka miratuar koncept-dokumentin për pasurinë e pajustifikueshme veprim ky që i hap rrugë draftimit të një ligji të veçantë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Ligji ri u tha se do të mundësojë realizimin e konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme edhe në mungesë të një aktgjykimi dënues.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës u tha se një gjë e tillë mundëson funksionimin e drejt të sistemit të konfiskimit të pasurisë.

Kurti: Ligji për konfiskimin e pasurisë mundëson demotivimin e kriminalitetit në vend

“Ministria e Drejtësisë, si propozuese e këtij draft koncept dokumenti i ka rekomanduar Qeverisë së Republikës së Kosovës të miratojë opsionin 3, i cili e parasheh hartimi ne ligjit të ri që mundëson realizimin e konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme edhe në mungesë të një aktgjykimi dënues, i cili do të mundësojë funksionimin e drejtë të sistemit të konfiskimit të pasurisë dhe demotivimin e kriminalitetit në vend”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ndërkohë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se me anë të këtij projektligji do të përcaktohen qartë arsyet për konfiskim të pasurisë, duke shtuar se koncept-dokumenti i cili u paraqit në mbledhje ne qeverisë, ofron analizë cilësore mbi nevojën e konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme.

Haxhiu: Ministria e Drejtësisë do të hartojë projektligjin për konfiskimin e pasurisë pa asnjë vonesë

“Ministria e Drejtësisë, pas miratimit të këtij koncept dokumenti, menjëherë pas asnjë vonesë do të hartojë projektligjin për konfiskimin e pasurisë së pa justifikueshme i cili do të përmbajë rregullimin e koncepteve lidhur me hetimin e pasurisë së pajustifikueshme e cila pasuri i takon personave të dyshuar. Gjithashtu me këtë projektligj do të rregullohen qartë elementet se mbi bazën e cilave dyshimeve do të iniciohet procedura për konfiskimin e pasurisë e cila është gjithnjë e pajustifikueshme apo e paligjshme”, tha Haxhiu.

Haxhiu shtoi se po synojnë themelimin e një agjencie të pavarur me mekanizëm kontrolli të punës së saj të brendshme dhe të jashtme, e cila inicion procedurën ndaj personave të dyshuar që kanë fituar pasuri në mënyrë të kundërligjshme.

Haxhiu: Projektligji për konfiskimin e pasurisë do të fillojë të zbatohet në mënyrë retroaktive

“Projektligji për konfiskimin e pasurisë do të fillojë të zbatohet retroaktivisht nga një periudhë që do të përcaktohet pas diskutimeve dhe analizave që do të bëhen në fazën e hartimit të tij. Ajo që mund të them sot është që ky ligj do të gjejë zbatim para shpalljes së Pavarësisë”, shtoi Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë tha se ligji për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme do të mbrojë interesin publik dhe se pasuria do të shpenzohet vetëm për nevojat e qytetarëve.

Ndërsa ministri i Financave, Hekuran Murati tha Ministria e Drejtësisë duhet të bëhet hartimin brenda kufijve buxhetor të përcaktuar nga Ministria e Financave.

Murati: Hartimi i legjislacionit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme brenda kufijve buxhetor të përcaktuar nga Ministria e Financave

“Rekomandohet që me rastin e hartimit të legjislacionit në fushën e pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme, aktivitetet që derivojnë nga ky legjislacion, Ministria e Drejtësisë t’i akomodojë brenda kufijve buxhetor të përcaktuar nga dokumentet e lëshuara nga ministria e Financave”, tha ai. /KP