Hapësirat brenda dhe jashtë shkollave, lagjet dhe hapësirat e qyteteve e fshatrave po rrezikohen nga qenët endacakë, të cilët shpesh po sulmojnë qytetarët e vendit, përkundër masave të cilat po deklarohen se po merren nga niveli komunal.
Ushtruesja e detyrës së shefit të grupit parlamentar Lëvizje Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka bërë të ditur se sot cak i një sulmi të tillë ishte një nëntëvjeçar, në afërsi të shkollës “Ismail Qemali” në Prishtinë, i cili pas lëndimeve të marra si pasojë e sulmit, është trajtuar nga mjekët në Emergjencë.
“Problemi që sot preku edhe familjen tonë, ka prekur qindra familje në mbarë Kosovën, jam shumë e vetëdijshme për këtë. Është i domosdoshëm trajtimi përmbajtësor i problemit të qenve endacakë. Problemi i rrugës nuk mund të jenë qenët endacakë, por mënyra se si njerëzit i trajtojnë ata. Unë nga zemra uroj që djali ynë të jetë i fundit që e përjetoi traumën e sotme, por frikohem se nuk do të mbaroj me kaq”, shkruan Kusari-Lila në Facebook.
Postimi i plotë:
Sot cak i një sulmi nga qenët endacakë ishte djali ynë Edoni, 9-vjeçar, në afërsi të shkollës së tij “Ismail Qemali” në Bregun e Diellit në Prishtinë.
Sulmi ndodhi në mes të ditës, ora 13:15, derisa djali ishte duke hyrë në oborrin e shkollës. Reagimi i mësueses, drejtoreshës dhe pastaj emergjencës ka qenë i menjëhershëm dhe pas intervenimit kirurgjik (qepjes) në Emergjencë, Edoni është duke u trajtuar në shtëpi. I falënderoj me radhë të gjithë që sot ishin me Edonin pas sulmit që i ndodhi.
Problemi që sot preku edhe familjen tonë, ka prekur qindra familje në mbarë Kosovën, jam shumë e vetëdijshme për këtë. Është i domosdoshëm trajtimi përmbajtësor i problemit të qenve endacakë. Problemi i rrugës nuk mund të jenë qenët endacakë, por mënyra se si njerëzit i trajtojnë ata.
Unë nga zemra uroj që djali ynë të jetë i fundit që e përjetoi traumën e sotme, por frikohem se nuk do të mbaroj me kaq.
Apeloj dhe lus të gjitha nivelet e vendimmarrjes, mos të lëmë fëmijët të rritën me frikën e daljes në rrugë dhe urrejtjen ndaj kafshëve. Të ngremë vëmendjen për trajtimin e qenve të pastrehë dhe trajtimin e mëtutjeshëm të tyre.
Nuk e fajësoj askënd sonte, dua të kalojmë këtë mbrëmje me falënderimin se nuk u bë më keq, por jo edhe për të ardhmen. Nuk dua të pranoj si standard këtë realitet, e nuk duhet askush të lejojë të kemi siguri të këtij niveli në rrugët tona./KP