​Pupovci: Mësimdhënësit me performancë të dobët mund të largohen nga puna

- in Lajme

Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci ka thënë se mësimdhënësit mund të largohen nga puna nëse tregojnë performancë të dobët.

Ai në InfoBox të TV Dukagjinit ka thënë se Qeveria e Kosovës parashikon vlerësimin e mësimdhënësve, por jo edhe testimin.

“Ne nuk e kemi përmendur asnjëherë testimin e mësimdhënësve. Për shkak të përformancës së dobët, jo vetëm mësimdhënësit, por çdo punëtor në Kosovë mund të largohet. Aty parashihet një periudhë njëvjeçare brenda së cilës mësimdhënësit që ka dalë të dobët në vlerësim do të përmirësohet, dhe nëse nuk përmirësohet, ai e humb licencën e punës”, tha Pupovci.

Vite me radhë është kërkuar shtimi i numrit të inspektorëve të arsimit në mënyrë që të arrihet të bëhet vlerësimi i vazhdueshëm i performancës së mësimdhënësve.

Popuvci thotë se vlerësimin e mësimdhënësve e bën inspektorati, i cili nxjerr vlerësimet nëse ata i plotësojnë kriteret ose jo.

“Ne duhet të shohim si të përmirësohet performanca dhe mësimdhënia”, ka thënë ai.

Ndryshe, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) është shprehur kundër testimit të mësimdhënësve./KP