Në 30-vjetorin e themelimit të Hani i 2 Robertëve është botuar monografia me rrëfime të mbi 80 intelektualëve, gazetarëve, diplomatëve, politikanëve, artistëve, aktorëve, muzikantëve dhe vizitorëve të tjerë nga Kosova dhe bota, shumica frekuentues të rregullt gjatë periudhave të ndryshme, sidomos në vitet ’90 të shekullit të kaluar, kur Hani shërbente si vendtakim për aktivitete të ndryshme.
Profesori, njëherësh aktori Enver Petrovci tha se te Hani i 2 Robertëve ka shërbyer edhe si vend për të ndjekur procesin mësimor studentët e artit në kohën e masave të dhunshme të ish-regjimit serb në vitet ‘90-ta.
Petrovci: Aty kemi filluar me mbajtur edhe mësim
“Aty kemi filluar me mbajtur edhe mësim, sepse siç e dini kemi qenë të larguar nga hapësirat tona të fakulteteve dhe jo vetëm. Normalisht me mikpritje të Fadilit dhe Meritës ndiheshim aty rehat dhe aty na qerosem shpesh me kafe apo çaj. Kjo iu pëlqente studentëve, sepse aty nuk ka mbajtur mësim vetëm dega e aktrimit, por edhe regjia e teatri”, tha Petrovci.
Përveç këtyre, gazetari Birol Urcan ka përkujtuar edhe aktivitetet e tjera të cilat mbaheshin asokohe në Hanin e 2 Robertëve.
Urcan: Në Hanin e 2 Robertëve organizoheshin ekspozita, muzikë të gjallë
“Për të kujtuar rezistencën që bëhej përmes artit dhe kulturës. Rezistencën që bëhej përmes ekspozitave pa galeri, shfaqjeve teatrale pa teatër dhe koncerteve muzikore pas salla koncentarle. Në këtë tregim të rezistencës së artit, apo artit të rezistencës. Një lokacion kishte vend qendror, ai ishte Hani i 2 Robertëve. Aty organizoheshin ekspozita, muzikë të gjallë dhe bëheshin përgatitje për shfaqje teatrale”, tha ai.
Ndërsa, publicisti Baton Haxhiu kërkoi botimin e një libri mbi historinë e Hanit të 2 Robertëve.
Haxhiu: Të rinjtë dëshirojnë ta lexojnë një libër për Hanin e 2 Robertëve
“Nuk brengosem fare pse të rinjtë nuk janë këtu, sepse edhe të vjetrit nuk e dinë rrëfimin në Hanit, as gjeneratat me të cilat jetojmë nuk e kanë përjetuar Hanin. Të rinjtë ndoshta do të kujdeseshin që një ditë ta lexojnë një libër për Hanin. Pasi nuk ka kush ta shkruajë, pasi si gjithmonë ky vend nuk dinë ta shkruajë rrëfimin e lirisë së vetë”, tha Haxhiu.
Ndryshe, arti i viteve ‘90 në Kosovë është zhvilluar jashtë qendrës dhe institucioneve në mënyrë joformale, e institucionet e kulturës atëbotë kishin qenë kafe-galeritë. Ndër më të njohurit ishte Hani i 2 Robertëve, që funksionon edhe sot e kësaj dite. /E.Zeqiri /KP