​Poeti Burhanedin Xhemaili, fitues i “Takimeve Poetike të Karadakut – 2021”

- in Kult

Klubi i Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” nga Kumanova, sot zhvilloi edicionin e 29-të të manifestimit tradicional letrar “Takimet Poetike të Karadakut”, i cili nga viti në vit po krijon një reputacion të respektuar në komunitetin kulturor shqiptar.

Me këtë rast, kryetari i klubit Fatos Rushiti theksoi sakrificën e idealistëve të parë, të cilët në kushte jo shumë të favorshme, para gati tri dekadave, themeluan këtë klub, për të renditur një varg veprash dhe suksesesh deri në ditët e sotme.

Më pas nën drejtimin e poetit Ali Qerimi, u mbajt Ora e madhe letrare, ku morën pjesë poetë të shumtë nga vendi dhe rajoni, si Ejup Ajdini, Ismail Baftjari, Burhanedin Xhemaili, Gerta Bandilli, Nehas Sopaj, Bejtush Mehmeti, Sarë Gjergji, Leonora Bruçaj Keka, Flora Peci, Farida Ramadani, Marinela Sela etj.

Juria letrare në përbërje Eris Rusi – kryetar, Daim Iljazi dhe Rabije Bytyqi – anëtarë, vendosën që vendin e parë me Çmimin “Fadil Bekteshi”, ta laureojnë shkrimtarin nga Kumanova Burhanedin Xhemaili me poezinë “Në ëndërr”. Vendi i dytë i takoi poetit Ejup Ajdini nga Tetova me poezinë “Lot gjaku nën dritën e hënës”, dhe vendi i tretë i takoi poetes Leonora Bruçaj Keka nga Prishtina me poezinë “Vitor i andrrës t’eme”.

Gjatë këtij aktiviteti u bë edhe promovimi i botimeve të fundit të KSH “Jehona e Karadakut”, për të cilat në pika të shkurtra foli promotori – redaktori i tyre Sevdail Demiri. Konkretisht u promovuan revista “Doruntina” (nr .58-59), libri “Kulla jonë” (Panoramë e poezisë kumanovare), “Përtej heshtjes” (poezi) nga Selajdin Shabani, dhe libri “Aforizma pragmatik” nga Sunaj Raimi. Poashtu u promovua edhe libri autorial – trilogjia “Vallja e vdekjes së verdhë” nga Nehas Sopaj, për të cilin një recension e paraqiti kritiku letrar Burhanedin Xhemaili.

“Takimet Poetike të Karadakut” mbështeten nga Ministria e Kulturës e Maqedonisë Veriore dhe pjesërisht nga komunat e Kumanovës dhe Likovës./KosovaPress