Partia Demokratike e Kosovës në Drenas, ka nominuar Driton Ajazin për kryetar të kësaj komune në zgjedhjet që pritet të mbahen në tetor të këtij viti.
Këtë lajm e ka bërë të ditur përmes një statusi në Facebook, Ajazi i cili ka falënderuar strukturat e PDK-së për besimin e dhënë.
“Sapo, mora mbështetjen nga strukturat e Degës së Partisë Demokratike në Drenas, për të qenë kandidat për kryetar të Komunës së Drenasit në zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen këtë vit!E vlerësojë jashtëzakonisht shumë besimin e dhënë nga Dega e PDK-së në Drenas, që ti prijë këtij procesi shumë të rëndësishëm për të ardhmen e Partisë Demokratike të Kosovës dhe qytetarëve të Drenasit dhe presë mbështetjen edhe të kryesisë Qendrore të Partisë Demokratike të Kosovës, që ta konfirmojë kandidaturën time!”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.
Ajazi ka shtuar se besimi i dhënë nga Dega e PDK-së në Drenas, është përgjegjësi dhe privilegj dhe do të shërbejë si forcë inkurajuese, që angazhimi i tij politik të jetë në shërbim të qytetarëve të Drenasit.
Driton Ajazi, udhëheq me nëndegën e PDK-së në fshatin Sankovc.
Kujtojmë se kryetar aktual i Komunës së Drenasit është Ramiz Lladrovci. Ai që nga viti 2016 është në krye të kësaj komune, ndërsa ditë më parë është shpërblyer nga kryeministri Kurti me çmimin për Komunën më Transparente në vend./KP