PD dhe LSI sot kanë firmosur marrëveshjen e koalicionit për zgjedhjet e 25 prillit, me sloganin ‘Shqipëria, shtëpia që fiton’.
Marrëveshja është firmosur nga kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi.
Si opozitë e bashkuar, PD dhe LSI do të konkurrojnë në zgjedhje me dy lista (PD-AN + LSI).
Në marrëveshjen mes dy forcave politike janë parashikuar 13 pika, ku kryesorja është nxjerrja e vendit nga kriza shumë e rëndë ekonomike e shkaktuar, sipas tyre nga qeverisja klienteliste dhe bashkëpunëtore e oligarkisë dhe e krimit.
Një pikë tjetër e marrëveshjes është përmbushjen e të gjitha kushteve për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe dhënien fund të çdo pengese të krijuar nga qeverisja aktuale për këtë proces jetik për të gjithë shqiptarët si dhe për mobilizimin e të gjithë faktorëve politikë dhe të shoqërisë civile për realizimin e këtij objektivi.
Sipas marrëveshjes, përfaqësimi në të gjithë nivelet e qeverisjes së ardhshme do të realizohet proporcionalisht mbi bazën e rezultatit zgjedhor./TCH/KosovaPress