Të premten dështoi të votohet nisma e Qeverisë së Kosovës që ta ndryshoj Ligjin për Zgjedhjet. Votimi i ndryshimit të këtij ligji u kritikua nga opozita por edhe nga shoqëria civile e analistë duke thënë se kjo nguti është një shantazh për çështjen e zgjedhjes së presidentit.
Pas përfundimit të seancës, reagoi deputeti dhe kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli.
Ai ka shkruar se gjatë gjithë ditës së premte pritej që të mbahej seanca për zgjedhjen e presidentit të vendit por që kjo nuk ndodhi.
Pacolli thekson në shkrimin e tij se Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ku pjesë e së cilës është dhe ai, ishte unik për zgjidhje konstruktive.
“Gjithë ditën e 2 Prillit pritej të filloj seanca për zgjedhjen e Presidentit por kjo seancë nuk filloj. Grupi parlamentar i LDK-së (anëtar i të cilit edhe unë jam) ishte pothuajse unik për zgjidhje konstruktive. Në fund të ditës, në vend të seancës për zgjedhjen e Presidentit, filloj një seancë tjetër (për Reformën Zgjedhore) në të cilën u verifikuan divergjenca te mëdha”, ka shkruar Pacolli mbrëmë në “Facebook”.
Derisa thotë se mbetet e paqartë se kur do të ketë seancë për presidentin a po presidenten, ai shpreson që të kapërcehen divergjencat dhe të krijohen sa më shpejt institucionet.
“Mbetet e paqartë se kur do të ketë një seancë për Presidentin(ten). Shpresojmë të kapërcejmë divergjencat dhe të krijojmë institucionet sa më shpejt të jetë e mundur”, ka shkruar mes tjerash Pacolli. /KP