​Osmani takoi presidentin kroat, merr mbështetje për liberalizimin e vizave

- in Lajme

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në kuadër të Samitit të presidentëve të rajonit, Brdo-Brijun në Slloveni, ka takuar sot homologun kroat, Zoran Milanoviq.

Sipas njoftimit të Presidencës, të dy bashkëbiseduesit, marrëdhëniet ndërmjet të dy shteteve i kanë vlerësuar të shkëlqyeshme dhe janë shprehur ta gatshëm që ato të intensifikohen në shumë sfera të interesit të përbashkët.

“Në këtë kontekst është përmendur mundësia e bashkëpunimit në zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës”, thuhet në njoftim.

Presidenti Milanoviq ka thënë se Kroacia mbështet integritetin dhe sovranitetin e Kosovës, sikundër edhe liberalizimin e vizave dhe rrugën evropiane.

Në takim u bisedua edhe situata me pandeminë Covid-19, ndërkohë që presidentja Osmani falënderoi Kroacinë për dhurimin e një sasie të vaksinave.

Në Samitin e presidentëve të rajonit Brdo-Brijun, presidentja Osmani pritet të ketë edhe takime me presidentët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi./KP