Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, priti sot në një takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë Philip Kosnett.
Me këtë rast, ambasadori Kosnett tha se ashtu sikur që Kosova është e përkushtuar për marrëdhënie të shkëlqyeshme me SHBA, e njëjta vlen dhe për SHBA dhe angazhimin e tyre karshi vendit tonë.
Duke folur për prioritetet dhe çështjet të cilat do t’i shtyjë përpara presidentja Osmani gjatë mandatit të saj, ajo theksoi që në përputhje me kompetencat kushtetuese, politika e jashtme, siguria, e forcimi i shtetësisë do të jenë në fokus të parë.
Ajo tha se do të punojë në mënyrë aktive për përmirësimin e vazhdueshëm të imazhit të vendit.
Duke marrë parasysh situatën me pandeminë dhe nevojën për mobilizim ndër institucional për menaxhim të suksesshëm të saj, presidentja Osmani tha se do të angazhohet për të ndihmuar në drejtim të sigurimit të vaksinave për qytetarët tanë.
Ndërlidhur me çështjen e pandemisë, të dyja palët theksuan nevojën për respektim të plotë të masave të prezantuara të qeverisë, si mënyra më e sigurt dhe e duhur për të shpëtuar jetë.
Presidentja Osmani po ashtu e siguroi ambasadorin Kosnett që do të angazhohet të krijojë një platformë të mirëfilltë të dialogut me gjithë spektrin politik, duke cekur që në këtë drejtim theks të veçantë do t’i jep konsultimeve me opozitën si dhe përfshirjen e tyre aktive në çështje të interesit të veçantë për vendin./KP