​Osmani nis vizitën zyrtare në Estoni, pritet nga homologia e saj

- in Lajme

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është pritur me nderime të lartë në Estoni, ku do ta realizojë një vizitë dy ditore, raporton KosovaPress.

Para pak çastesh, Osmani është takuar me presidenten e Estonisë, Kersti Kaljulaid.

Gjatë ditës, Osmani pritet të takohet edhe me presidentin e Parlamentit të Estonisë, Jüri Ratas, kryeministren Kaja Kallas, si dhe kryesuesin e Komitetit për çështje evropiane, Siim Kallas.

Këtë vizitë në Estoni, Osmani e ka cilësuar si mundësi të mirë për vendosjen e bashkëpunimit me shtetin, i cili bart primatin në nivel global për E-qeverisje.

Presidentja ka theksuar se vizita në Estoni do t`i hapë rrugë vendosjes së bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy shteteve, por edhe ndërmjet bizneseve. Sipas Osmanit, Kosova mund të përfitojë nga përvoja e Estonisë nga fusha e teknologjisë informative, ekonomia mbrojtja, siguria, arsimi, shëndetësia, turizmi dhe shkëmbimi kulturor.

Dita e dytë e vizitës së Osmanit, do t`i kushtohet agjendës transformuese digjitale me ç`rast do të bëhen vizita në ‘E-Estonia Briefing Center’ dhe ‘Telliskivi Creative City’. Me ftesë të presidents, në delegacion do të jenë edhe përfaqësues të tri kompanive të fushës së inovacionit nga Kosova: Mërgim Cahani (Gjirafa), Jeta Zagraxha (UCK) dhe Uranik Begu (ICK)./KP