​Orlando: Mundësitë për bashkëpunimin Kosovë-Itali duhet të intensifikohen edhe më shumë

- in Lajme

Drejtori i Përgjithshëm i KIESA-s, Hajriz Koca, priti sot në takim ambasadorin e Italisë në Kosovë, Nicola Orlando, të cilin e njoftoi mbi aktivitetet e KIESA-s për promovimin e investimeve, eksportit, turizmit, përkrahjen e ndërmarrjeve dhe zhvillimin e zonave ekonomike.

Njëherësh ai e falënderoi ambasadorin për gatishmërinë e shtetit italian për të rritur investimet në Kosovë, si dhe eliminimin e barrierave për investitorët potencialë që po investojnë dhe planifikojnë të investojnë në Kosovë.

Ambasadori Orlando e njoftoi për hapjen e Zyrës tregtare në kuadër të Ambasadës së Italisë në Prishtinë për rritjen e bashkëpunimit në mes të dy vendeve në fushën e investimeve dhe eksportit.

Ai gjithashtu theksoi se mundësitë për bashkëpunim ndërmjet Kosovës dhe Italisë janë të mëdha dhe duhet të intensifikohen edhe më shumë.

Të dyja palët shprehën gatishmërinë e tyre për intensifikimin e bashkëpunimit në rritjen e promovimit të investimeve dhe eksportit, si dhe angazhimin për të krijuar marrëdhënie ekonomike në mes kompanive kosovare dhe italiane./KP