​Nuk dihet kur do të mbahet seanca për votimin e presidentit, Kryesia e Kuvendit diskuton ndarjen e komisioneve parlamentare

- in Lajme

Seanca për votimin e presidentit të ri të vendit nuk ka qenë sot temë diskutimi në mbledhjen e rregullt të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës. Pas mbledhjes, u tha se është diskutuar vetëm rreth propozimeve për ndarjen e komisioneve parlamentare dhe udhëheqjen e tyre. Ndarja e komisioneve parlamentare do të votohet këtë të premte në seancë plenare derisa në të njëjtën ditë pritet të bëhet edhe betimi i deputetëve të rinj të cilët marrin ulëset e të zgjedhurve që kaluan pastaj në poste qeveritare.

Këtë e ka bërë të ditur deputetja nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.

Kusari-Lila: Kryesia nuk ka diskutuar sot për seancën në të cilën do të votohet presidentja

“Hapi i parë është betimi i deputetëve të rinj, sot kemi informacione se KQZ mblidhet, të reflektojë edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese sipas të gjitha gjasave të premten do të bëhet betimi i deputetëve të rinj dhe pastaj seanca për zgjedhjen e presidentes bëhet seancë e jashtëzakonshme e cila ftohet me nënshkrimet e deputetëve, sot nuk ka qenë temë për faktin se kemi pasur temë funksionimin e komisioneve parlamentare”, tha Kusari-Lila.

Ndërsa lidhur me ndarjen e komisioneve parlamentare, ajo ka bërë të ditur se Lëvizja Vetëvendosje do të drejtojë shtatë komisione në këtë legjislaturë nga 14 sa janë gjithsej.

Kusari-Lila: Lëvizja Vetëvendosje do të kryesojë shtatë komisione parlamentare

“Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje në këtë legjislaturë do të kryesojë me Komisionin për Buxhet dhe Transfere, do të kryesojë me Komisionin për Legjislacion, Mandate dhe Imunitete, do të kryesojë me Komisionin për Punë të Jashtme, gjithashtu me Komisionin për Arsim, Shkencë, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport”, tha ajo.

Tutje shtoi se Vetëvendosje do të udhëheq edhe me Komisionin për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe planifikim Hapësinor, Komisioni për Shëndetësi, Komisionin për Qeverisje Lokale, Zhvillim Rajonal dhe Media.

Kusari-Lila bëri i bëri të ditur edhe komisionet që do të udhëhiqen nga partitë opozitare.

Kusari-Lila: PDK dhe LDK do të udhëheqin nga dy komisione parlamentare

“Komisionin për ekonomi, industri, ndërmarrësi dhe tregti e udhëheqë PDK, Komisionin për integrime Evropiane e udhëheq LDK, Komisionin për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve e udhëheq Lisa Serbe, ndërsa Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore e udhëheq 6+. Dy komisione të tjera që janë të përcaktuara të opozitës janë komisioni për mbikëqyrje të financave publike që e udhëheq LDK dhe komisioni për mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë e udhëheq PDK”, shtoi ajo.KP