Kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka deklaruar se nuk miratojnë dukuri dhe tendenca për kapjen e shtetit, etjen për totalitarizëm dhe autokraci. Ai ka shtuar se nuk mund të lejojnë karakterin e shtetit totalitar të njëmendësisë politike.
Në përmbylljen e fushatës së LDK-së, ai ka theksuar se në zgjedhjet e së dielës, po garojnë për fitore dhe për qeverisje të vendit. Mustafa tha se partia e tij, i respekton rivalët politikë dhe të drejtën demokratike të çdo njeriu dhe të çdo subjekti politik për të garuar dhe qeverisur me vendin.
Mustafa: Nuk miratojmë dukuritë dhe tendencat për kapjen e shtetit
(Video)
“Nuk miratojmë dukuritë dhe tendencat për kapjen e shtetit, etjen për krejt pushtetin, për totalitarizëm dhe për autokraci. Të gjithë ne, përveç atyre që kanë lindur pas lufte, e kemi provuar dhe kemi sprovuar karakterin e shtetit totalitar, të njëmendësisë politike. Nuk duhet të lejojmë ta përjetojmë edhe njëherë në asnjë formë dhe në asnjë variant”, tha Mustafa.
Ai ka shtuar se sot po kërkon votën dhe besimin për LDK-në e jo për vete dhe se janë pro ndryshimit, por jo të çfarëdo lloji.
Mustafa: Ne përkrahim ndryshimin, por jo çdo lloj ndryshimi
(Video)
“Ne përkrahim ndryshimin, por jo çdo lloj ndryshimi. Jo ndryshimin si propagandë. Ndryshimi për Lidhjen Demokratike të Kosovës, është ai që e forcon shtetin e Kosovës, e bënë më funksional, që na siguron njohje të reja dhe përmbyllje të plotë të shtetësisë, me njohje nga pesë vende të BE-së, anëtarësim në OKB dhe NATO. Këto ndryshime më së miri i bën LDK, si parti shtet-formuese”, tha Mustafa.
Ai theksoi se si parti kanë ofruar kandidatin e sprovuar për kryeministër dhe se LDK-ja mbetet besnike ndaj vlerave evropiane.
Kandidati për kryeministër, Avdullah Hoti theksoi se shteti është mbi të gjitha, duke shtuar se në themelet e angazhimit politik kanë pasur gjithmonë respektimin e institucioneve dhe fuqizimin e tyre.
Hoti: Ne nuk diskutojmë vendimet e drejtësisë edhe atëherë kur nuk na shkojnë për shtati
(Video)
“Ne nuk diskutojmë vendimet e drejtësisë edhe atëherë kur nuk na shkojnë për shtati. Sepse, shteti ndërtohet duke respektuar atë, duke punuar për të, duke vënë interesin e shtetit mbi të gjitha. Ne jemi të përkushtuar për të bërë më të mirën për shtetin tonë. Dhe unë ju garantoj se do ta bëjmë. Ne kemi provuar historikisht, tash e tri dekada. Por, ne në rrugëtimin tonë asgjë nuk marrim të mirëqenë. Prandaj, asnjëherë nuk jemi ndalur së punuari për “Shtetin shtet”, ka deklaruar Hoti.
Hoti u zotua se vetëm LDK ka prezantuar program të plotë dhe konkret për zhvillim ekonomik, dhe se për shtatë muaj qeverisje kanë hequr nga diskursi publik shprehjen “korrupsion”. Ai nuk la pa përmendur edhe marrëveshjen në Shtëpinë e Bardhë, duke thënë se do t’i sjellë Kosovës mijëra vende pune.
Hoti: Marrëveshja e Uashingtonit e fuqizoi miqësinë tonë speciale me SHBA
(Video)
“Kjo marrëveshje e solli një njohje të re pas tri dekadave bllokadë, e hapi tregun evropian për qasje në financa, për bizneset nga Kosova, e fuqizoi miqësinë tonë speciale me SHBA-në. Me këtë marrëveshje dhe me shumë projekte të tjera, unë ju ftoj ta votoni LDK-në për të bërë Kosovën qendër të inovacionit dhe teknologjie, sepse ne e dimë se si do të fuqizojmë teknologjinë e informacionit, si gjenerues cilësor të vendeve të punës”, ka shtuar ai.
Bartësi i listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka shtuar se vetëm me programin qeverisës të kësaj partie, do të kenë parasysh pensionistët, të rinjtë dhe çdo kategori tjetër. /Sh.Pajaziti/KosovaPress