​Merkel: Është e rëndësishme që Turqia dhe Greqia të vazhdojnë dialogun

- in Rajoni dhe Bota

Kancelarja gjermane Angela Merkel gjatë një video-konference sot me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, ka mirëpritur zhvillimet e fundit pozitive në lidhje me mosmarrëveshjen midis Greqisë dhe Turqisë, dhe u bëri thirrje të dy palëve që të vazhdojnë dialogun.

“Në bisedimet me presidentin turk Erdogan, kancelarja mirëpriti sinjalet e fundit pozitive dhe takimin e fundit midis të dy palëve dhe theksoi rëndësinë e këmbënguljes në dialogun e vazhdueshëm midis Greqisë dhe Turqisë,” tha qeveria gjermane, raporton Reuters.

Greqia dhe Turqia janë në mosmarrëveshje për dekada të tëra, duke përfshirë shtrirjen e kufijve të tyre kontinentalë, kalimet në Detin Egje dhe Qipron e ndarë etnikisht dhe një sërë raundesh bisedimesh u zhvilluan midis të dy palëve nga 2002 deri 2016, kujton Reuters.

Pas një ndërprerje katër-vjeçare, zgjeruar më tej nga një mosmarrëveshje mbi një fushë gazi mesdhetare dhe çështjen e kufijve në Mesdheun Lindor vitin e kaluar, Greqia dhe Turqia rinisën bisedimet më 25 janar.

Takimi i fundit në Stamboll, raundi i 61-të, përfundoi pas disa orësh, por të dyja palët thanë se kishin rënë dakord të takoheshin përsëri në Athinë në fund të shkurtit ose në fillim të marsit./KosovaPress