​Llapi kampion për herë të parë në histori të Kupës së Kosovës

- in Sport

Pas 120’ minutave lojë, dhe një fund dramatik në penallti, tanimë është mësuar kampioni i këtij sezoni i Kupës së Kosovës.

Skuadra e trajnerit Tahir Batatina Llapi, është kampioni i Kupës së Kosovës për sezonin 2020/21, pasi që në finale e ka mposhtur Dukagjinin, pas akordimit të penalltive, përcjell KosovaPress.

Pas 90’ minutave lojë në stadiumin “Fadil Vokrri” rezultati ishte i barabartë 0:0 mes dy skuadrave, ku u nevojit edhe koha shtesë prej 30’ minutave, që skuadra e Llapit dhe ajo e Dukagjinit të shënonin nga një gol.

Fillimisht ishte skuadra e Dukagjinit që e zhbllokoi rezultatin përmes mbrojtësit Altin Merlaku, i cili shënoi në minutën e 113’ për 1:0, kurse pak çaste para përfundimit të kohës së rregullt, Elvis Prençi ishte heroi i Llapit i cili barazoi shifrat në 1:1 në minutën e 121’.

Në fazën e penalltive, Llapi siguroi finalen e madhe me rezultat 4:3, ku portieri i këtyre të fundit, Curic arriti të bëj dy pritje të goditjeve të lojtarëve të Dukagjinit, kështu duke e shpallur Llapin kampion.

Me sigurimin e Kupës së Kosovës, Llapi po ashtu siguroi biletën drejt garave evropiane për sezonin e ardhshëm 2021/21./KP