Ka përfunduar faza çerekfinale e Ligës së Evropës, ku skuadrat që kanë siguruar biletën për në gjysmëfinale janë Roma, Manchester United, Arsenal dhe Villarreal.
Skuadra e Romës ishte vendase kundër holandezëve të Ajaxit, Manchester United zhvilloi ndeshje në shtëpi kundër Granadas, Arsenali ishte mysafirë i Slavia Pragës dhe Villarreal zhvilloi ndeshje kundër Dinamo Zagrebit, përcjell KosovaPress.
Roma me rezultat të përgjithshëm 3:2 eliminoi Ajaxin. Në ndeshjen e parë si mysafirë, romakët siguruan fitore 2:1 kundër holandezëve, kurse në ndeshjen e kthimit të dy skuadrat barazuan 1:1.
Manchester United brenda dy ndeshjeve, mposhti Granadan me rezultat të përgjithshëm 4:0. Në ndeshjen e parë si mysafirë ishin 2:0, ndërsa sot si vendas u ndanë me po të njëjtin rezultat.
Arsenali ka arritur të kualifikohet në gjysmëfinale, ku pas 180’ minutave lojë, rezultati ishte 5:1 në favor të “Topçinjëve”.
Villarreali ka eliminuar skuadrën e Dinamo Zagrebit, ku pas dy ndeshjeve rezultati i përgjithshëm është 3:1 në favor të spanjollëve. Në ndeshjen e sotme, Villarreali siguroi fitore 2:1 kundër kroatëve.
Rezultatet përfundimtare të ndeshjeve të Ligës së Evropës i gjeni më poshtë.
AS Roma 1 – 1 Ajax (rezultati i përgjithshëm 3:2)
Manchester United 2 – 0 Granada CF (rezultati i përgjithshëm 4:0)
Slavia Praga 0 – 4 Arsenal (rezultati i përgjithshëm 1:5)
Villarreal 2 – 1 Dinamo Zagreb (rezultati i përgjitshëm 3:1)/KP