​Lazio-Bayern Munih, takimi i parë në Ligën e Kampionëve për të dy skuadrat

- in Sport

Lazio do të takohet sot me kampionin aktual të Ligës së Kampionëve Bayern Munih, në kuadër të fazës eliminatore, ku ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Olimpico” në Romë.

Lazio përfundoi fazën e grupeve në vendin e dytë, prapa Dortmundit në Grupin F, vetëm për t’u kualifikuar drejt fazës së eliminatorëve për herë të parë që nga viti 2000, ndërsa Bayern e kryesoi Grupin A, duke lënë prapa Atleticon, përcjell KosovaPress.

Në gjashtë ndeshjet e fundit në të gjitha garat, skuadra e Lazios ka regjistruar katër fitore dhe dy humbje, ndërsa Bayern ka arritur katër fitore, një barazim dhe një humbje.

Të dy skuadrat do të kenë mungesa të mëdha të lojtarëve. Simeone Inzaghi do të jetë pa mbrojtësit Luiz Felipe dhe Stefan Radu, pa portierët Thomas Strakosha e Silvio Proto.

Hansi Flick ndërkaq do të jetë pa shumë lojtarë të formacionit bazë. Benjamin Pavard dhe Thomas Muller janë dy lojtarët e fundit që kanë pësuar lëndime te Bayern, ndërsa nuk do të arrijnë të udhëtojnë me skuadrën edhe Corentin Tolisso, Serge Gnabry, Douglas Costa, Alexander Nubel dhe Tanguy Nianzou.

Të dy skuadrat do të hynë në këtë ndeshje me qëllim për të siguruar fitoren, me formacionet e mundshme:

Lazio (3-5-2): Reina; Patric, Acerbi, Musacchio; Lazzari, Milinkovic-Savic, Lucas, Alberto, Marusic; Correa, Immobile

Bayern Munich (4-3-3): Neuer; Sule, Boateng, Alaba, Davies; Kimmich, Goretzka, Martinez; Sane, Lewandowski, Coman

21:00 Lazio – Bayern Munich (Stadiumi Olimpico)/KosovaPress