​Lajçak: Pres takimin Kurti-Vuçiq para verës

- in Lajme

Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Mirosllav Lajçak ka thënë se ai pret që procesi i dialogut të vazhdojë pas formimit të institucioneve të reja në Kosovë.

Ai për televizionin N1 tha se dialogu është absolutisht kyç për normalizimin e marrëdhënieve, për rrugën evropiane, por edhe për atmosferën normale midis Kosovës dhe Serbisë.

“Është e rëndësishme për mua që askush nga akterët që kam takuar në Kosovë dhe Serbi nuk ka pyetur nëse është i nevojshëm dialogu, dhe ky është mesazhi kryesor,” tha diplomati sllovak.

I pyetur nëse i referohet më shumë dialogut teknik apo politik, Lajçak tha se nuk e sheh që ekzistojnë dy dialogë dhe se është ai që, nga përkufizimi, është politik.

Duke folur për dhjetë vjetët e mëparshme, Lajçak kujton se para emërimit të tij, dialogu u drejtua nga Përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme të BE-së, i cili, siç thekson ai, kishte shumë gjëra për të cilat ishte përgjegjës.

“Me ardhjen e KE-së së re, u mor një vendim që ne duhet të përqendrohemi në atë proces, që kemi dikë që, në emër të BE-së, merret me këtë proces 24 orë në ditë dhe se ne jemi duke negociuar një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë që do të zgjidhë të gjitha çështjet e hapura njëherë e përgjithmonë”, tha ai.

Lajçak tha se një nga qëllimet kryesore të vizitës së tij në rajon këtë herë ishte takimi me udhëheqësin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili, siç thotë ai, mori një mandat të fuqishëm nga votuesit, dhe për të diskutuar vazhdimin e dialogut.

Përfaqësuesi i BE-së deklaron se Kurti nuk ishte i informuar për dialogun, kështu që, siç thotë ai, ishte e rëndësishme për të që t’i jepte zyrtarit të Kosovës informacion të plotë për dialogun.

“Ai është i gatshëm të vijë në Bruksel, të takohet me presidentin Vuçiq, dhe kjo duhet të ndodhë brenda një kohe të arsyeshme, pas formimit të institucioneve (në Prishtinë)”, u shpreh Lajçak.

I pyetur se sa është e sigurt që ata do të takohen në një të ardhme të parashikueshme, duke pasur parasysh që Kosova do të zgjedhë presidentin e ri dhe po ndjek procesin e formimit të një qeverie, dhe në anën tjetër zgjedhjet në Serbi, Lajçak tha se Kurti është i bindur se të gjitha këto çështje mund të zgjidhen relativisht shpejt.

“Unë mendoj se kemi hapësirë të mjaftueshme dhe pres që takimi i parë do të zhvillohet në një kohë të arsyeshme – pas formimit të të gjitha institucioneve të nevojshme (në Prishtinë) dhe kjo mund të jetë e sigurt para verës,” tha ai./KosovaPress