Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak është shfaqur optimist se dialogu me Serbinë do të përfundojë nën mandatin e qeverisë së ardhshme.
Pas takimit me ushtruesen e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, Lajçak tha se ka marrë mesazhe të qarta nga fituesit e zgjedhjeve të 14 shkurtit se dialogu do të vazhdojë.
Duke dhënë disa mesazhe të tija, Lajçak sqaroi edhe paraqitjen e tij prapa një harte ku Kosova shihet vetëm me vijë administrative në kufirin me Serbinë.
Lajçak: Dialogu është i të gjithëve, jo vetëm i një partie politike
Video:
“Mesazhi i parë është që të uroj institucionet e Kosovës për zgjedhjet parlamentare të rregullta të cilat për herë të parë janë mbajtur pa ndonjë rol aktiv të komunitetit ndërkombëtar. E po ashtu t’i përgëzojë partitë politike për pranimin e rezultateve menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve. Mesazhi i dytë është që Bashkimi Evropian dhe ShBA janë në një partneritet dhe me ardhjen e administratës Biden, marrëdhënia është më e afërt dhe dëshirojmë që ta arrijmë qëllimin e njëjtë që është e ardhmja evropiane për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor. Mesazhi i tretë është mbështetja e programit elektoral të zotëri Kurtit dhe zonjës Osmanit. BE është e gatshme të mbështesë dhe të krijojë vende të reja të punës, investimet e reja dhe luftimin e korrupsionit. Mesazhi i katërt është që vendet e BE-së dhe ShBA presin vazhdimin e procesit të dialogut. Nga dy takimet e mia me zotëri Kurtin dhe Osmanin për atë se ku jemi me procesin e dialogut dhe çka kemi arritur, posaçërisht pas vazhdimit në korrik dhe cilat janë hapat e tjerë që i parashohim. Përfundimi i këtyre takimeve është se dialogu do të vazhdojë, duhet të krijohen disa procedura, por ka mirëkuptim për vazhdimin e dialogut. Mesazhi i pestë është për unitetin politik në Kosovë për dialogun pasi është përgjegjësi e të gjitha partive”, tha ai.
Lidhur me afatet kohore për përfundimin e dialogut, Lajçak përmes një konference për medie tha se varet nga Kosova dhe Serbia.
Lajçak: Marrëveshja do të arrihet në mandatin e z. Kurtit
Video:
“Besoj se do ta kompletojmë këtë proces me një marrëveshje gjatë mandatit të zotëri Kurtit dhe Osmanit. Nuk shoh pengesa në këtë rrugë”, tha ai.
Sa i përket paraqitjes së tij prapa një harte ku Kosova paraqitet vetëm me vijë administrative në kufirin me Serbinë, Lajçak tha ajo është harta zyrtare që i është dhënë nga institucionet e Bashkimi Evropian.
Lajçak: Më duhet të përdor vetëm harta zyrtare të BE-së
Video:
“Për çështjen e hartës e kam sqaruar. Një zyrtar i BE-së duhet të përdorë vetëm harta zyrtare të BE-së. Kjo është harta që na kanë dhënë. Ndarja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në atë hartë është e qartë. Kjo ka krijuar një reaksion emocional, por do të ishte jo serioze nëse unë do të vendosja harta të tjera. Duhet të respektoj pozitën e BE-së. Kjo është dëshmi se kemi nevojë për dialog” tha ai.
Në ditën e dytë të qëndrimit në Kosovë, Lajçak takoi edhe liderët e tjerë politikë dhe institucionalë./E.Zeqiri/KosovaPress