Kryeministri Albin Kurti së bashku me zëvendëskryeministrat Besnik Bislimi dhe Donika Gërvalla gjatë vizitës zyrtare në Bruksel, është pritur në takim nga Kadri Simson, komisionare e Bashkimit Evropian për Energji.
Kurti shprehu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës që të përmirësojë efiçiencën e energjisë dhe të diversifikojë energjinë, si dhe lëvizjen drejt një ekonomie të gjelbër, duke u siguruar që vendimet tona janë të informuara mirë dhe realiste.
Kjo është çështje kapitale për të cilën kryeministri Kurti theksoi se kërkon konsensus të gjerë shoqëror.
Më tej, ai e njoftoi komisionaren Simson me Planin Kombëtar për Energji dhe Klimë, planet për rishikimin e politikave në energji sipas direktivave të Bashkimit Evropian, dhe mbështetjen që do t’iu ofrohet bizneseve që promovojnë efiçiencën e energjisë dhe ruajnë ambientin.
Kosova është pjesë e bashkëpunimit rajonal në sektorin e energjisë për të cilin kryeministri tha se duhet të bazohet në parimet e barazisë dhe gjithëpërfshirjes./KP