Kandidati për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka reaguar pas sulmit ndaj gazetarit Visar Duriqi nga persona ende të panjohur.
Kurti në një postim në Facebook ka shkruar se rrahja e gazetarëve për shkak të punës dhe fjalës së tyre, janë fenomene negative që populli i Kosovës nuk i duron.
“Qeveria e ardhshme e konsideron si mision ruajtjen e demokracisë dhe të lirisë së fjalës, bindjes e veprimtarisë politike, sipas ligjit. Ata që mendojnë se mund ta ndalin demokracinë me gangsterizim, le ta dinë se koha e tyre ka perënduar”, shkruan Kurti.
Kurti ka apeluar forcat e rendit që të vënë sa më shpejt para përgjegjësisë autorët e rastit, ndërsa ka uruar shërim të shpejtë e rikthim në detyrë gazetarit Visar Duriqi.
Postimi i plotë:
Qeveria kujdestare rekordeve të veta të këqija po u shton edhe atë të problemeve me rendin publik.
Rrahja e familjarëve të politikanëve për shkak të qëndrimit të tyre politik, rrahja e gazetarëve për shkak të punës dhe fjalës së tyre, janë fenomene negative që populli i Kosovës nuk i duron.
Qeveria e ardhshme e konsideron si mision ruajtjen e demokracisë dhe të lirisë së fjalës, bindjes e veprimtarisë politike, sipas ligjit. Ata që mendojnë se mund ta ndalin demokracinë me gangsterizim, le ta dinë se koha e tyre ka perënduar.
Njëri-tjetrin mund “ta mundim” vetëm me fakte, me argumente, me logjikë e me mjete demokratike. U bëj thirrje forcave të rendit që me profesionalizëm e angazhim të vënë sa më shpejt para përgjegjësisë dhunuesit.
I uroj shërim të shpejtë e rikthim në detyrë gazetarit Visar Duriqi./KosovaPress