​Kurti pas shkarkimit të Bordit të AKP-së: Të këqijat duhet ndalur shpejt

- in Lajme

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 65 vota pro, dy kundër dhe asnjë abstenim kanë shkarkuar bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

E kryeministri Albin Kurti përmes një statusi në Facebook, ka thënë se ky është vetëm hapi i parë drejt shuarjes së këtij institucioni, gjë që hap rrugën për themelimin e Fondit Sovran.

“Të mirat vijnë ngadalë, por të këqijat duhen ndalur shpejt. Sot Kuvendi votoi për shkarkimin e bordit të AKP-së, që të ndalet tjetërsimi e zhvatja. Ky është vetëm hapi i parë drejt shuarjes së këtij institucioni, gjë që hap rrugën për themelimin e Fondit Sovran. Si Qeveri, sot po ashtu jemi autorizuar që të propozojmë një bord të ri para Kuvendit, bord i cili do të ketë një mandat të ri, në përputhje me strategjinë zhvillimore të Qeverisë sonë, ka shkruar Kurti.

Deputetët fillimisht nuk miratuan raportin e punës së AKP-së për vitin 2020, derisa kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca konstatoi shkarkimin e bordit të AKP-së.

Pas shkarkimit të bordit të AKP-së, Qeveria e Kosovës duhet të propozojë emrat e bordit të ri./KP