Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paralajmëruar se në muajin qershor do të rifillojë dialogu me Serbinë. Duke thënë se dialogu nuk po neglizhohet nga qeveria e tij, Kurti ka bërë të ditur se gjatë muajit maj do të takohet edhe me partitë opozitare në Kosovë për t’u përgatitë për fazën finale të dialogut. Ndërkohë, tha se dokumentet “non paper” lidhur me arritjen e një marrëveshje finale me Serbinë mund të jenë kërcënime, por nuk do të merret me to.
Përmes një konferencë të përbashkët për medie, me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, Kurti tha se do të jetë në Bruksel në mesin e muajit maj për një darkë pune me gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor.
Kurti: Në muajin qershor mund të kemi rifillimin e dialogut
Ka disa korniza kohore që janë vendosur në tavolinë. Ne në kabinetin qeveritar do ta aprovojmë planin qeverisës dhe planin e punës. Pastaj ky plan do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për diskutim. Prandaj ne kemi nevojë të kemi më shumë informacion dhe dokumente rreth marrëveshjeve të arritura të mëparshme në mënyrë që të përgatitemi. Në të njëjtën kohë ne do të takohemi me partitë opozitare në Kosovë në mënyrë që të kemi edhe mendimet e tyre. Të kemi një dialog me principe dhe mirë të përgatitur. Nuk duam të bëjmë gabime, prandaj përgatitja e mirë do të thotë që e marrim shumë seriozisht. Fillimisht do të kemi këtë takimin e liderëve të Ballkanit perëndimor në këtë darkë pune dhe muajin qershor, diku mund të kemi fillimin e kapitullit tjetër të dialogut me praninë edhe të ndërmjetësueseve të BE-së”, tha ai.
Kreu i ekzekutivit kosovar, dokumentet “non paper” i quajti edhe si fotografi të falsifikuara nga sateliti që nuk duhet t’iu kushtohet rëndësi.
Kurti: Këto “non paper” ndoshta janë kërcënime
“Unë nuk besoj në zgjidhje ku rajoni shikohet vetëm si gjeografi dhe demografi pa siguri, pa ekonomi dhe pa qytetarë të Republikave. Për mua këto harta duket si fotografi të falsifikuara nga sateliti, apo skeqe të filmave ku alienët duan të pushtojnë tokën. Nuk iu kam dhënë asnjë rëndësi. Ndoshta këto janë kërcënime, nuk e di nga kush, apo çfarë. por sa më pak që merremi me to i ndihmojmë vetës më shumë”, u shpreh ai.
Kryeministri Albin Kurti është duke qëndruar në Bruksel në një vizitë dyditore./E.Zeiqri/KP